Një ditë pas polemikave të shumta që u krijuan pas humbjes së Prishtinës me një gol diskutabil në udhëtim te Dukagjini, ka reaguar edhe arbitri kryesor i këtij takimi, Mentor Ajeti. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, e ka marrë përgjegjësinë për gabimin e tij, duke insistuar se ishte vetëm një gabim njerëzor dhe për këtë ka kërkuar falje.
Prishtina u mposht nga Dukagjini 1:0, ndërsa pas ndeshjes është ankuar dhe ka kërkuar përsëritjen e ndeshjes. Goli i shënuar në këtë ndeshje ishte diskutabil, pasi arbitri Ajeti fillimisht e ndali lojën përpara se Mërgim Pefqeli të shënonte autogol, por pastaj e pranoi golin si të rregullt pasi rishikimit të rastit në sistemin VAR.
“E nderuara Federata e Futbollit te Kosovës. Të nderuara klube të futbollit. Të nderuar futbolldashës. Duke e parë situatën e krijuar pas ndeshjes se djeshme Dukagjini - Prishtina, ndihem jashtëzakonisht keq dhe përgjegjës t’iu drejtohem me këtë opinion. Ajo që ka ndodhur dje është një moment shumë i vështirë për karrierën time të cilën e kam ndërtuar me shumë mund e pasion. Referimi për mua është gjëja me e bukur në jetë andaj jam munduar maksimalisht të bëjë më të mirën duke i kaluar të gjitha sfidat të cilat më kanë përcjell në këtë zeje pa impenjime dhe duke kaluar të gjitha normat dhe testet e kërkuara nga Komisioni i Gjyqtarëve”, ka shkruar Ajeti ndër të tjera. “Unë e marrë përgjëgjesinë për gabimin që kam bërë por dua t’iu siguroj që ka qenë vetëm një gabim njerëzor dhe pas shumë analizave me ekspertë të referimit dhe vlërsimit tim, vërejmë që ka qenë një lëshim nga ana ime dhe kërkoj falje publike dhe pres mirëkuptim”.
Ajeti gjithashtu ka përmendur edhe gabimin në ndeshjen mes Arsenalit dhe Brentfordit dhe ka kërkuar mbështetje në këto momente të vështira. Ai i ka kërkuar falje edhePrishtinës, ndërsa ka thënë se do ta pranoj secilin vendim që e merr FFK-ja.