Trajneri i Antwerpit, holandezi Mark van Bommel po e synon fitoren e dytë brenda pak ditësh me ekipin e tij. Pasi e nisi sezonin 2022/23 në Superligën e Belgjikës me fitore ndaj Mechelenit, Van Bommel po e kërkon triumfin edhe ndaj Dritës në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, përcjell sajti “walfoot.be”. Antwerpi të dielën mbrëma fitoi 2:0 dhe Van Bommel ka insistuar se ekipi i tij do të udhëtojë drejt Prishtinës me vetëbesim të madh. Drita e pret Antwerpin të enjten mbrëma, me ndeshjen e kthimit që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dueli i parë mes Antwerpit dhe Dritës që u luajt javën e shkuar në Belgjikë, u mbyll pa gola. Rezultati i ndeshjes së parë ka lënë gjithçka të hapur për duelin e kthimit, në të cilin do të përcaktohet skuadra që do të avancojë në raundin e tretë kualifikues të kësaj gare. E në rundin e tretë, fituesi i këtij dueli do të përballet me fituesin e ndeshjes ndërmjet ekipit nga Finlanda, SJK dhe Llillestromit të Norvegjisë. Lillestromi e ka fituar ndeshjen e parë të luajtur në Finlandë, me rezultatin 1:0.
Van Bommel ka pranuar se dueli i kthimit ndaj Dritës do të jetë shumë i vështirë, duke shtuar se këtë e kanë parasysh edhe futbollistët e tij. Megjithatë, ai ka shtuar se Antwerpi është gati për këtë përballje dhe për kalim në fazën tjetër të Ligës së Konferencës.
“Ndeshja e kthimit kundër Dritës, 100 për qind do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Këtë e kam parasysh, sikurse edhe temperaturat e larta që do të mbretërojnë. Besoj se jemi gati për këtë ndeshje pas fitores ndaj Mechelenit, që ka mundur të jetë më e thellë”, është shprehur Van Bommel. “Nuk jemi prapa me rezultat, e as nuk jemi në disavantazh. Është vetëm 0:0 dhe gjithçka e hapur. Gjithmonë jam nervoz para secilës ndeshjes, por këtë herë nuk do të jem”.
Edhe te Drita kanë pranuar se ndeshja e kthimit në Prishtinë ndaj Antwerpit, do të jetë dukshëm më e vështirë se ajo në Belgjikë.
Gjilanasit kanë pranuar forcën e ekipit belg, por kanë insistuar se i kanë gjasat për të vazhduar aventurën evropiane duke kaluar në raundin e tretë. Po ashtu, te Drita presin që tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri” të jenë të stërmbushura me tifozë. Sipas tyre, kanë nevojë për përkrahjen e të gjithë adhuruesve të futbollit për ta kaluar këtë pengesë që nuk do të jetë aspak e lehtë.
E nëse Drita eliminon Antwerpin do të shkaktonte sensacion duke pasur parasysh se ekipi që drejtohet nga ish-mesfushori i Holandës, Mark van Bommel, ka në radhët e veta lojtarë si Radja Nainngolan e Toby Alderweireld.
Nainngolan ka bërë karrierë te Roma e Interi në Serie A, kurse kapiteni Alderweireld ka luajtur te Tottenhami, Ajaxi, Atletico Madridi dhe është reprezentues i Belgjikës.
“Antwerpi është ekip që të ndëshkon në momentin e parë që lirohesh. Shpresojmë të kemi një paraqitje të njëjtë si në ndeshjen e parë dhe të jemi të fokusuar 100 për qind. Pa dyshim se na pret një punë shumë e vështirë, por jemi të përgatitur si për ngarkesën e ndeshjes ashtu edhe presionin që na pret”, ka thënë drejtori i Dritës, Valon Zymberi ditë më parë për KOHËN.
“Ne treguam në ndeshjen e parë që kemi nivel dhe mund të përballemi me çdo kundërshtar në Evropë. Shpresojmë në kalim tutje pasi gjasat janë reale. Kështu që, edhe me pak fat ne mund ta eliminojmë Antwerpin”.
Ky është edicioni i katërt i Dritës në Evropë kurse suksesin më të madh e pati në sezonin 2020/21, kur arriti deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, por u eliminua nga Legia e Varshavës. Këtë edicion, Drita e ka eliminuar në rundin e parë, Inter Turkun e Finlandës.