Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Van Bommeli insiston se Antwerpi nuk do ta nënçmojë Dritën

Trajneri i Antwerpit, Mark van Bommel, ka insistuar se ekipi i tij për asnjë moment nuk do ta nënçmojë Dritën, skuadër me të cilët do të përballet në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Dueli mes Antwerpit dhe Dritës do të zhvillohet të enjten prej orës 20:45 në stadiumin “Busoil” në Antwerp. Në konferencën për shtyp të mbajtur të mërkurën, Van Bommel ka thënë se ka respekt të madh për Dritën. Ai ka shtuar se sezonin e shkuar Drita ka pasur paraqitje të mira në garat evropiane dhe për këtë tashmë ka paralajmëruar futbollistët e tij. Van Bommel ka shtuar se tashmë ka analizuar mirë Dritën dhe ka thënë se e njeh mirë skuadrën nga Kosova.

“Nënçmimi nuk duhet të jetë faktor në asnjë rast. Vitin e shkuar Drita luajti në Evropë kundër Feyenoordit dhe pati një paraqitje fantastike në Evropë. Megjithatë, në fund ishte gjithçka në rregull për Feyenoordin, por aspak e lehtë. Feyenoordi arriti deri në finale të Ligës së Konferencës pas kësaj dhe të shpresojmë që edhe ne ta ndjekim një rrugë të mirë. Mirëpo, e kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë”, ka insistuar ish-mesfushori i Holandës, Van Bommel.

Ai ka insistuar se Antwerpi do të përpiqet të bëjë një paraqitje të mirë për ta fituar ndeshjen. Dueli i kthimit mes këtyre dy ekipeve do të zhvillohet javën e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Van Bommel foli edhe për lojën që e aplikon Drita dhe tha se Antwerpi do të përpiqet ta sulmojë në pikat e dobëta të saj, të cilat nuk i zbuloi.

“Unë e njoh tashmë Drirtën, kjo është e sigurt. Ne i kemi analizuar mirë ata. I kemi shikuar xhirimet dhe Drita është një skuadër shumë e mprehtë, që nëse i jepet hapësira mund të luajë futboll shumë të mirë. Këtë e kemi parasysh, sikurse edhe pikat ku mund ta sulmojmë. Një shpjegim do të vijojë nesër para ndeshjes dhe pastaj në mbrëmje do të varet nga mënyra se si do ta bëjmë atë”, insistoi Van Bommel. “Ambiciet i kemi të mëdha. Kjo është qartë e dukshme, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Por, kjo nuk është një garanci që ne do të fitojmë papritur, por po punojmë shumë për të luajtur futbollin tonë më të mirë dhe për të rritur shanset për të fituar”.

Van Bommel gjithashtu zbuloi se kundër Dritës të Antwerpi do të debutojë edhe përforcimi më i ri, qendërmbrojtësi Toby Alderëeireld. 33-vjeçari ditë më parë u prezantua tek Antwerpi, kurse ka një karrierë të pasur në futbollin evropian, pasi ka luajtur te Tottenhami, Southamptoni, Atletico Madridi e Ajaxi. Ai ka edhe 121 paraqitje me Përfaqësuesen e Belgjikës.

Edhe Antwerpi i bindur se do ta eliminojë Dritën Sport Antwerpi i bindur se do ta eliminojë Dritën

“Toby është përfshirë në ekip dhe mund të përdoret në këtë ndeshje”, konfirmoi Van Bommel. “Nuk është ideale për shkak se ai nuk ishte me ne prej fillimit të përgatitjeve, por ai gjithmonë ka punuar shumë dhe dëshmoi në stërvitje që është i gatshëm. Ne jemi të kënaqur që jemi në gjendje ta vendosim atë kaq shpejt në fushë”.

Për dallim prej Dritës që garat në Ligën e Konferencës i ka nisur prej raundit të parë, Antwerpi starton nga rrethi i dytë. Në raundin e parë Drita ka eliminuar Inter Turkun e Finlandës me rezultatin e përgjithshëm 4:1. Skuadra që avancon tutje prej këtij raundi, në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës do të përballet me fituesin e duelit ndërmjet SJK Seinajoki nga Finlanda dhe Lillestromit nga Norvegjia.