Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka thënë në konferencën për shtyp të mërkurën, se futbollistët e tij janë maksimalisht të motivuar për ndeshjen e kthimit ndaj Antwerpit, në të cilën synojnë fitore. Dueli ndaj Dritës dhe Antwerpit i takon raundit të dytë kualifikues, të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e kthimit luhet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja e parë në Belgjikë është mbyllur pa gola. Nuhiu ka pranuar se Drita ka një mundësi të mirë për të avancuar tutje dhe pret që ekipi i tij ta bëjë edhe një paraqitje të mirë sikurse në përballjen e parë. Megjithatë, ai ka pranuar se nuk do të jetë aspak lehtë.
“Skuadra jonë është mirë, futbollistët janë maksimalisht të fokusuar dhe kanë motiv të veçantë përpara ndeshjes së kthimit me Antwerpin. Realisht është një mundësi shumë e mirë për të kaluar tutje, sidomos pas rezultatit në ndeshjen e parë. Kundërshtari nuk është aspak i lehtë, pasi bëhet fjalë për një ekip agresiv, që bën presion të lartë dhe ka lojtarë cilësorë në përbërje. Sigurisht se do të jetë e vështirë”, është shprehur Nuhiu.
“Mirëpo, për të gjitha këto, jemi të përgatitur dhe besoj edhe në një paraqitje tjetër të mirë të ekipit. Uroj ta bëjmë një ndeshje të madhe, pasi kemi besim të plotë në vete, dhe t’i vazhdojmë garat në arenën ndërkombëtare”.
Po ashtu, Nuhiu ka shtuar se edhe përkrahja e madhe e tifozëve nga tribunat do të jetë motiv shtesë për futbollistët e tij, që të avancojnë tutje.