Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Anëtarët e Cityt i fitojnë çmimet kryesore

Ruben Dias është emëruar lojtari i sezonit në Premier League për kampanjën 2020/21, ndërsa trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e fitoi çmimin si trajneri më i mirë i sezonit.

Dias e fitoi edhe çmimin e dytë, pasi i pari ishte ai nga Shoqata e Autorëve të Futbollit në muajin maj. Ai në konkurrencë e pati bashkëlojtarin Kevin De Bruyne, i cili e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të edicionit të kaluar në Premier League, si dhe sulmuesin e Tottenhamit, Harry Kane.

Të tre ishin në listën e ngushtë për lojtarin më të mirë të Premier Leagues, bashkë me mesfushorin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, Jack Grealish të Aston Villës dhe sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah.

Të nominuar ishin edhe mesfushori i West Hamit, Tomas Soucek, dhe Mason Mount i Chelseat.

Dias iu bashkua Cityt nga Benfica verën e kaluar për 65 milionë funte. U paraqit në 32 ndeshje në ligë për Manchester Cityn, shënoi një gol dhe e ndihmoi ekipin ta mbajë portën e paprekur në 15 ndeshje ku ai ishte i pranishëm. Me partnerin e tij në mbrojtje, John Stonesin, ishin të shkëlqyer duke pranuar vetëm 32 gola në ligë, që ishte ndihmesë e madhe në triumfin e Premier Leagues.