Sulmet kundër brazilianit Vinicius Junior janë problem i futbollit spanjoll dhe duhet të trajtohen, tha të martën trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
Vinicius, sulmues brazilian, u është nënshtruar sulmeve të urrejtjes që kur mbërriti në Spanjë në vitin 2018. Së fundi ndodhi të dielën në ndeshjen e La Ligas kundër skuadrës së Mallorcas.
“Pyetja që bëj është kjo: Kundër kujt duhet të mbrohet Viniciusi? Ku duhet të mbrohen shokët e tij të skuadrës?”, tha Ancelotti të martën në prag të debutimit të Realit në kupën e botës për klube në Marok.
“A është Vinicius problemi? Duket sikur problemi është Vinicius, por problemi është se çfarë ndodh rreth tij. Është një problem i futbollit spanjoll. Unë jam pjesë e futbollit spanjoll dhe mendoj se është një problem që duhet ta zgjidhim. Sepse duket se Vinicius është fajtori, por ai po bëhet viktimë e një gjëje që unë nuk e kuptoj”.
Vinicius është shprehur hapur për fyerjet dhe shpesh është ankuar në mediat sociale se si është trajtuar.
Ai u vu në shënjestër edhe për shkak të kërcimeve gjatë festimit të golave dhe së fundmi bashkëlojtarët e tij tërhoqën vëmendjen për numrin e madh të faulleve që po shkaktohen ndaj brazilianit në ndeshje. Javën e kaluar mbrojtësi i Valencias, Gabriel Paulista, u përjashtua nga loja pas një faulli të ashpër ndaj Viniciusit në një ndeshje të ligës.
“Viniciusi është një person i jashtëzakonshëm, me vlera të mëdha”, tha shoku i tij i ekipit, Federico Valverde. “Ai është ndryshe nga shumica në fushë, ai e shijon futbollin në mënyrën e tij, në një mënyrë të lumtur. Unë nuk mendoj se tifozët rivalë po mendojnë për atë si person, ata nuk e kuptojnë se ai mund të jetë djali i kujtdo që është në tribunë. Njerëzit duhet të jenë përgjegjës për atë që bëjnë, nuk duhet t'i vërsulen një 22-vjeçari. Duhet të kesh respekt”.
Racizmi në futbollin spanjoll ka tërhequr më shumë vëmendje kohët e fundit, por pak është bërë për të ndëshkuar dikë. Liga spanjolle ka nisur hetimet për sulmet raciste të dielën në Mallorca, pasi imazhet televizive treguan se dikush e quajti atë majmun. Vinicius gjithashtu u ofendua pas ndeshjes kur u ndal për të pozuar dhe për të dhënë autografe për tifozët.
Por disa lojtarë janë ankuar për qëndrimin e brazilianit në fushë.