Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Prestianni mohon se ka fyer në baza racore Viniciusin, që mori përkrahje të madhe

Vinicius Junior

Sulmuesi i  Real Madridit, Vinicius Junior, tha se “racistët janë frikacakë”, derisa mesfushori i Benficas, Gianluca Prestianni, ka mohuar se e ka fyer në baza racore brazilianin.

Vinicius Jr ka raportuar fyerjet e pretenduara raciste nga Prestianni te gjyqtari Francois Letexier, gjatë fitores 1:0 të Real Madridit ndaj Benficas në Lisbonë të martën mbrëma.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja e plejofit të Ligës së Kampionëve u ndërpre për dhjetë minuta. Lojtarët e të dy skuadrave u larguan për pak minuta nga fusha, pasi Viniciusi shënoi golin për madrilenët.

Sulmuesi, që ishte viktimë e shumë incidenteve me fyerje racore gjatë karrierës, ka thënë në një postim në “Instagram”: “Racistët janë, mbi të gjitha, frikacakë. Ata duhet të vendosin fanellën mbi gojë për të treguar se sa të dobët janë. Por ata kanë mbrojtje nga të tjerët, të cilët teoritikisht e kanë obligim t’i dënojnë. Asgjë që ndodhi sonte nuk është e re në jetën time apo në jetën e ekipit tim. U ndëshkova me karton të verdhë për festimin e golit. Ende nuk e kuptoj pse. Në anën tjetër, ishte vetëm një protokol i ekzekutuar keq, që nuk shërbeu për asgjë”.

20-vjeçari Prestianni, ka mohuar të ketë bërë fyerje raciste ndaj Viniciusit.

“Dua të sqaroj që në asnjë moment nuk kam bërë fyerje raciste ndaj Vini Jr, i cili për fat të keq e keqkuptoi atë që mendoi se e ka dëgjuar”, ka shkruar Prestianni. “Nuk kam qenë asnjëherë racist me askënd dhe më vjen keq për kërcënimet që mora nga lojtarët e Real Madridit”.

Benfica i doli në mbrojtje lojtarit të saj argjentinas.

“Ashtu si tregojnë pamjet, marrë për bazë distancën, lojtarët e Real Madridit nuk kanë mundur të dëgjojnë atë që pretendojnë se kanë dëgjuar”, ka shkruar klubi portugez.

 

Çka tha Mourinho?

 

Trajneri i Benficas, Jose Mourinho është parë duke folur me Viniciusin pasi lojtari mori vendimin që të largohet nga fusha pas shkëmbimit të fjalëve me Prestiannin.

Tekniku portugez ka thënë se atij i janë dhënë versione të ndryshme për incidentin nga Vinciusi dhe Prestianni.

Mourinho ka thënë se Vini Jr nuk ka shfaqur respekt gjatë festimit të golit, ndërsa ka përmendur legjendën Eusebio për të treguar që Benfica nuk është klub racist.

I pyetur nëse ndien që Vinicius ka nxitur masën, Mourinho është përgjigjur: “Po. Besoj që po”.

“Duhej të ishte moment i çmendur i ndeshjes, një gol i mahnitshëm. Për fat të keq ai nuk ishte vetëm i lumtur që shënoi gol të hatashëm. Kur shënoni një gol të tillë, ju festoni në mënyrë të respektuar”, ka thënë Mourinho.

Trajneri i njohur ka vazhduar të flas për incidentin.

“I kam thënë Viniciusit që kur shënon gol të tillë vetëm feston dhe kthehesh prapa. Kur ai po argumentonte për racizmin i kam thënë që personi më i madh në histori të këtij klubi ishte i zi. Gjëja e fundit që ky klub mund të jetë është të jetë racist. Viniciusi dhe Prestianni më thanë gjëra të ndryshme. Por nuk i besoj as njërit e as tjetrit. Dua të jem i pavarur”.

 

Reagimet e shumta

 

Mbrojtësi i Real Madridit, Trent Alexander-Arnold ka thënë se abuzimi i Viniciusit ishte “turp për futbollin”.

“Ajo që ndodhi është turp për futbollin dhe lë në hije paraqitjen tonë e po ashtu golin e shkëlqyer”, ka thënë Alexander-Arnold.

“Vini u përball me këtë në shumë raste gjatë karrierës së tij. Të shkatërrohet një natë si kjo për ekipin tonë, është e turpshme. Nuk ka vend për këtë në futboll apo në shoqëri. Është e neveritshme”.

Ish-mesfushori i Real Madridit, Clarence Seedorf, ka thënë se Mourinho ka bërë gabim të madh “duke arsyetuar abuzimin racist”.

“Mendoj se ai është ende emocional. Ai thotë se është në rregull që kur Vinicius t’iu provokojë, të jeni racist. Dhe mendoj se kjo është shumë gabim. Nuk duhet asnjëherë të arsyetojmë abuzimet raciste”.

Edhe Theo Walcott, ish-sulmues i Arsenalit, ka kritikuar Mourinhon për komentet e bëra.

Bashkëlojtari i Vini Jr, Kylian Mbappe, ka bërë thirrje që Prestianni të mos lejohet më të luajë në Ligën e Kampionëve.

“Asgjë e tillë nuk më ka ndodhur mua ndonjëherë. Për këto çështje të rëndësishme është me rëndësi të flitet qartë dhe jo të bëhen përgjithësime. Kam respekt të madh për Benfican dhe trajnerin e saj, që është njëri prej më të mirëve në histori dhe që bëri histori me Real Madridin. Por, sipas mendimit tim, ky lojtar nuk meriton të luajë më në Ligën e Kampionëve”, ka thënë sulmuesi francez.

“Nuk mund të pranojmë që një lojtar që luan në top-ligën evropiane të ketë sjellje të tilla. Ky djalë nuk meriton të luajë më në Ligën e Kampionëve, por të shohim se çka do të ndodhë. Ia lëmë UEFA-s, që gjithnjë mundohet të bëjë diçka. Tani ajo ka rast serioz dhe shpresoj se do të bëjë diçka”.