Amir Rrahmani ka bërë hap të madh në karrierë gjatë vitit 2020. Pasi u paraqit mirë me Veronën, mbrojtësi i Kosovës u transferua te Napoli, njërin prej klubeve më të mëdha në Itali.
Mbrojtësi i qendrës u transferua në janar, por mbeti si huazim te Verona. Në pjesën e parë të vitit luajti ndeshje të mëdha në Serie A. Ai i luajti plot 20 ndeshje këtë vit në Serie A me Veronën.
Te Verona ka shfaqur stabilitet në mbrojtje, kurse te Napoli është në pritje të debutimit.
Rrahmani pati telashe me lëndime dhe me koronavirus. Për edicionin e kaluar ishte mbrojtësi me më së shumti ndërhyrje të sakta në Serie A.
Ai ishte pjesë e rëndësishme edhe e Përfaqësueses së Kosovës.
Për Kosovën i ka luajtur pesë ndeshje këtë vit, por Përfaqësuesja nuk është shquar me rezultate pozitive.
Edhe
Rrahmani në pritje të debutimit, shpreson për një trofe të madh me Napolin në vitin 2021
Falë paraqitjeve të mira me Hellas Veronën, kalimit te Napoli dhe kontributit të tij për Kosovën ku në shumë ndeshje ishte edhe si kapiten, juria e Grupit KOHA e vlerësoi si sportistin më të mirë të vitit 2020.
“Faleminderit shumë. Jam shumë i privilegjuar për këtë çmim që ma keni dhënë. E di që nuk është lehtë sepse ka shumë lojtarë në Evropë që luajnë, shokë të mi, bashkëlojtarë të mi, dhe po ndihem shumë i privilegjuar dhe i veçantë për këtë arritje. Falënderoj gjithë jurinë që më ka votuar dhe shpresoj që edhe në vitet tjera të bëjmë lojëra më të mira dhe shpresoj që të bëjmë sa më mirë vitet e ardhshme”, ka thënë Rrahmani.