Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani në pritje të debutimit, shpreson për një trofe të madh me Napolin në vitin 2021

Amir Rrahmani pranon se ka pritur më herët ta fitojë rastin të luajë te Napoli. Por ai insiston se nuk i është sosur durimi. Beson shumë në vlerat që ka, ashtu si edhe Napoli, për çka skuadra e madhe italiane edhe e transferoi në janar të këtij viti.

Rrahmani është i bindur se shumë shpejt do t’i ofrohet mundësia ta bëjë debutimin te një prej skuadrave më të mëdha në Serie A. Mundësinë mund ta ketë menjëherë në janar, kur Napoli do t’i luajë dy ndeshjet e para, kundër Empolit për Kupë më 13 janar dhe një javë më vonë ndaj Juventusit në Superkupën e Italisë.

“Te Napoli nuk po gjej shumë hapësirë, por shpresoj që në të ardhmen e afërt do ta kem hapësirën për t’i treguar vlerat e mia”, ka thënë Rrahmani për KOHËN. Rrahmani nga KOHA u shpall sportisti më i mirë i vitit 2020.

Qendërmbrojtësi nga Prishtina shpreson që me Napolin të fitojë një trofe të madh. Napoli është në garë për titull në Serie A, Kupë të Italisë dhe në Ligën e Evropës.

“Fillimi i vitit 2021 është vazhdimësi e fundit të vitit 2020 për klubin tim, sepse jam në planet afatgjate të klubit me të cilin kam kontratë për pesë vjet dhe shpresoj që aty të ma japin sa më shpejt mundësinë për t’i treguar vlerat e mia, që nuk i vë në dyshim, dhe të arrijmë të fitojmë Serie A, Kupën apo Superkupën që e kemi në janar ndaj Juventusit. Kemi edhe garën në Ligën e Evropës dhe shpresoj të kemi një trofe madhor. Shpresoj të fillojmë të bëjmë ndeshje të mëdha dhe të fitojmë sa më shumë pikë. Kemi një grup të vështirë, por gjithçka është e mundur”, është shprehur Rrahmani.

Mbrojtësi i Kosovës gjatë këtij viti i luajti 20 ndeshje në Serie A me Hellas Veronan. Në janar firmosi me Napolin, por mbeti te Verona si huazim. Te Verona ka shfaqur stabilitet në mbrojtje. Por te Napoli nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare. Më herët ka pasur telashe me lëndime dhe me koronavirus. Edicionin e kaluar ishte mbrojtësi me më së shumti ndërhyrje të sakta në Serie A.

“Fillimi i vitit 2020 ka qenë shumë i suksesshëm për mua, pasi kam arritur ta nënshkruaj një kontratë me një klub të madh siç është Napoli dhe pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha. Në atë fillim isha i huazuar deri në fund të sezonit, sepse ashtu edhe u morën vesh klubet. Përfundova një sezon të mrekullueshëm me Hellas Veronan, sepse e përfunduam në dhjetë ekipet e para në Serie A”, është shprehur Rrahmani.

Rrahmani karrierën si futbollist e nisi në Kosovë. Fillimisht te Kosova e Prishtinës, derisa atë e vazhdoi te Ramiz Sadiku. Në Kosovë luajti edhe për Drenicën për ta vazhduar më pas te Partizani i Tiranës. Nga Partizani në vitin 2015 u transferua në Kroaci te RNK Split. Shpejt bëri edhe hapin tjetër të madh duke u transferuar te skuadra më e madhe kroate, Dinamo Zagreb. Nga Dinamo Zagreb u huazua te Lokomotiva e Zagrebit. Pas kthimit nga huazimi, Rrahmani te Dinamo pati goxha sukses. Fitoi dy tituj të kampionit dhe një Kupë. Nga Dinamo u largua në vitin 2019 drejt skuadrës që garon në Serie A, Hellas Verona. Me Veronan e mbylli një kampionat me plot sukses. Falë paraqitjeve të mira te Verona, Rrahmani në janar kompletoi transferimin te Napoli.

Edhe Rrahmani krenar me Kosovën, synon paraqitjen në Evropian apo Botëror Sport Rrahmani krenar me Kosovën, synon paraqitjen në Evropian apo Botëror

Për shkak të koronavirusit, Rrahmani nuk luajti shumë edhe te Kosova.

Për Kosovën i ka luajtur pesë ndeshje këtë vit, por përfaqësuesja nuk është shquar me rezultate pozitive. Këtë e pranon edhe vetë Rrahmani. Ai dhe disa të tjerë i munguan Kosovës në ndeshjen më të madhe të këtij viti, atë kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”, që mbahet verën e vitit tjetër. Megjithatë, mbrojtësi i qendrës është i bindur se me Kosovën do të arrijë të marrë pjesë në një ngjarje të madhe.

“Me Kosovën kemi mundur të bëjmë më shumë, mirëpo në një anë ndikoi koronavirusi dhe në tjetrën ndërrimi i klubeve. Po ashtu edhe mungesa e lojtarëve shkaku lëndimeve na ka dëmtuar shumë në ndeshjen më të rëndësishme ndaj Maqedonisë së Veriut, ku munguam disa lojtarë, por në fund besoj se do ta arrijmë këtë qëllim shumë shpejt”, ka thënë Rrahamani.

Rrahmani me Napolin ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2024. Ai beson se do të bëhet lojtar i rëndësishëm në mbrojtjen e Napolit.