Amir Rrahmani ishte ndër mbrojtësit më të dalluar në edicionin e porsapërfunduar në kampionatin italian Serie A. E Rrahmani shpreson në paraqitje të tilla edhe në sezonin e ri, i cili nis muajin tjetër. Rrahmani, 26-vjeçar, ishte një prej mbrojtësve me më së shumti topa të rikuperuar në elitën e futbollit italian. Ishte edhe ndër lojtarët me më së shumti paraqitje në futbollin italian. Paraqitjet e tij me fanellën e Veronës në stinorin e parë të tij në Serie A thotë se i kanë ndihmuar për të shpresuar edhe për një edicion të suksesshëm me fanellën e Napolit. Rrahmani në sezonin e ri do të luajë me Napolin, që për kartonin e tij pagoi 14 milionë euro.
“Kemi pasur një sezon shumë të mirë si ekip, ku kemi treguar ndeshje të mira dhe kemi pasur rezultate pozitive. Me më shumë fat ndoshta do të ishim edhe më mirë në fund të sezonit. Sa u përket paraqitjeve të mia te Verona, mendoj se kanë qenë të shkëlqyera. Jam i lumtur që kam arritur të ambientohem shpejt dhe për këtë jam shumë i lumtur. Kam mësuar shumë gjatë kësaj kohe, por sigurisht që kërkoj të përmirësohem edhe më shumë”, ka thënë Rrahmani.
Kontratën me Napolin e nënshkroi në janar të këtij viti, kurse deri në fund të edicionit, që përfundoi vikendin e shkuar, qëndroi i huazuar te Verona. Ai me napolitanët ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2024. Mbrojtësi shtatlartë për Veronën ka kontribuar me një asistim në 37 ndeshje në të gjitha garat. Në kampionat, Rrahmani i ka munguar Veronës vetëm në dy ndeshje në total. E hapësirë të madhe ai pret të ketë edhe në klubin e tij të ri, Napoli, që drejtohet nga Gennaro Gattuso.
“Pres të kemi bashkëpunim të mirë me trajnerin. Kam dëgjuar shumë gjëra të mira për të dhe sigurisht se do të mësoj gjëra të reja nga trajneri i ri”, ka theksuar Rrahmani.