Sport

Alushi: Vendi i pestë është shumë i pakëndshëm

Ish-mesfushori i Kosovës, Enis Alushi, është i drejtpërdrejtë kur flet për mundësitë që Kosova i kishte për t’u kualifikuar në “Euro 2024”. Thotë se Kosova nuk kishte forcë ta kalonte Rumaninë dhe Zvicrën. Por, shton se Kosova ka pasur skuadër për ta përfunduar ciklin kualifikues dy pozita më lart.

Kosova e mbylli e parafundit ciklin kualifikues për Evropianin që mbahet verën e vitit të ardhshëm në Gjermani. Zuri vendin e pestë me 11 pikë, ndërsa pas vetes la vetëm Andorrën. Rumania si e para dhe Zvicra si e dyta u kualifikuan nga Grupi I, ndërsa mbi Kosovën përfunduan edhe Izraeli dhe Bjellorusia.

Alushi insiston se vendi i pestë është i papranueshëm për “Dardanët”.

“Vendi i pestë është sigurisht shumë i pakëndshëm. Nuk pres të përfundojmë para Zvicrës ose Rumanisë. Ashtu kam thënë edhe para ndeshjes së parë. Por, dy humbje kundër Bjellorusisë dhe humbja e pikëve ndaj Andorrës në ndeshjen e parë janë të papërballueshme për të pasur ambicie të mëdha. Është vështirë nga distanca të jap vlerësim më të detajuar, sepse nuk jam afër kombëtares. Por, atë që mund ta vlerësoj janë rezultatet dhe paraqitja”, ka thënë Alushi të mërkurën për KOHËN.

Alushi, 37-vjeçar, tashmë është pensionuar nga futbolli ndërsa për Kosovën luajti gjashtë ndeshje në ciklin e parë kualifikues, atë për Botërorin e vitit 2018, i zhvilluar në Rusi. Ishte paraqitja e parë e Kosovës në kualifikime pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Alushi ka pasur karrierë të suksesshme si futbollist. Ka luajtur për disa klube në Gjermani, ndërsa rol të rëndësishëm luajti edhe në mesfushën e Kosovës.

Ai insiston se Kosova do të duhej të kishte tri apo katër pikë më shumë në fund të ciklit.

Kualifikimet për “Euro 2024” Kosova i nisi me trajnerin francez Alaine Giresse. Giresse u shkarkua pas rezultateve dëshpëruese në katër ndeshjet e para. Postin e selektorit e mori më pas trajneri slloven Primozh Gliha, të cilët të mërkurën FFK-ja nuk ia vazhdoi kontratën.

Nën drejtimin e Glihas, Kosova regjistroi dy fitore, dy barazime dhe dy humbje. Humbjen e fundit e pësoi nga Bjellorusia të martën mbrëma në Prishtinë.

“Kam pritur që Kosova t’i ketë tri apo katër pikë më shumë. Me dy fitore kundër Andorrës dhe minimumi një fitore kundër Bjellorusisë do të ishin pesë pikë më shumë. Por, në anën tjetër, askush nuk pret të luhet dy herë baras me Zvicrën. Kështu që kam pritur t’i kemi tri apo katër pikë më shumë. Nëse do t’i arrinim këto pikë, Kosova do të dilte dy pozita më lart në tabelë, nëse e llogarisim një fitore me Bjellorusinë dhe një barazim, që është totalisht real”, është shprehur Alushi.

“Dardanët” në edicionin e katërt të Ligës së Kombeve do t’i udhëheqë një selektor i ri. Ndeshjet do të luhen nga shtatori deri në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse cikli kualifikues për “Botërorin 2026” nis në mars të vitit 2025. Ndërkohë në mars të vitit 2024, Kosova pritet të luajë ndeshje miqësore.