Nathan Ake ka vazhduar kontratën me Manchester Cityn edhe për dy vjet, ka bërë të ditur të shtunën skuadra e Premier Leagues angleze. Ai do të jetë pjesë e Cityt deri në vitin 2027.
Mbrojtësi holandez, 28-vjeçar, iu bashkua Cityt në vitin 2020 me kontratë pesëvjeçare, nga skuadra e Bournemouthit për 45 milionë euro.
Pati paraqitje të mira në edicionin e kaluar për Cityn. Zhvilloi 41 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa e fitoi tripletën.
“Ky është klubi më i mirë në botë. Nuk kam fjalë për këtë. Të jem lojtar i Manchester Cityt më bën jashtëzakonisht krenar, çdo ditë”, ka thënë ish-mbrojtësi i Chelseat.
“Pep Guardiola është trajneri më i mirë në futboll – një gjeni që më ka bërë ta shoh lojën ndryshe – kështu që të jem në gjendje të punoj me të për kohë më të gjatë është privilegj. I jam mirënjohës për çdo gjë që ka bërë për mua, personalisht dhe profesionalisht”, është shprehur Ake. Ake me Cityn ka gjashtë trofe të fituar.