Mbrojtësi Nathan Ake ka arritur marrëveshje me Manchester Cityn për kontratë të re afatgjate, ka njoftuar “Sky Sports” të enjten. Mësohet se marrëveshja është arritur mes palëve dhe zyrtarizimi i kontratës së re do të bëhet brenda kësaj jave.
Kontrata aktuale i skadon 28-vjeçarit në vitin 2025, ndërsa me kontratën e re, Ake do të mbetet te City deri në vitin 2027.
Po ashtu, ai do të ketë edhe rritje të konsiderueshme të pagës, pasi vlerësohet si lojtar i rëndësishëm i ekipit nga trajneri Pep Guardiola. Ai është pjesë e Cityt prej vitit 2020, ndërsa edicionin e fundit pati paraqitje të mira dhe ishte pothuajse i pazëvendësueshëm në përbërjen e parë. Po ashtu, Ake është edhe reprezentues i Holandës.