Mbrojtësi i Shqipërisë, Arlind Ajeti, aktualisht është pjesë e skuadrës Padova në Serie C, Grupi A. Është rangu i tretë i futbollit italian.
Por, futbollisti shqiptar që iu bashkua të martën skuadrës italiane shpreson në arritje të mëdha me këtë skuadër.
Ishte pa klub që prej 1 korrikut kur u la i lirë nga skuadra Reggiana.
“Jam shumë i lumtur që ky klub më dha mundësinë, e di një pjesë të historisë dhe e di si punohet këtu. Mund të flas gjëra pozitive sepse e shoh te secili këtu që dëshiron të arrijë në Serie B”, ka thënë 28-vjeçari në konferencën e parë për shtyp. “Në dy-tri grumbullimet e fundit nuk jam thirrur nga Shqipëria por shpresoj që të kthehem sërish me atë fanellë falë klubit tim. Nuk kam pritur të jem pa klub qëkur u largova nga Reggiana, por koronavirusi komplikoi gjithçka dhe tani më duhen disa javë për t’u kthyer në formë”.
Ajeti ka luajtur 20 herë për Shqipërinë dhe ka shënuar një gol.