Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Agjenti i Van de Beekut kritikon Unitedin

Agjenti i mesfushorit Donny van de Beek, Guido Albers ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj drejtuesve të Manchester Unitedit.

Sipas tij, dështimi i Unitedit për të bashkëpunuar ka bërë që Van de Beek të mbetet tek ekipi anglez, përkundër ofertave të shumta nga Serie A dhe Bundesliga.

Van de Beek nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij tek Unitedi prej se iu bashkua vitin e shkuar nga Ajaxi për 40 milionë euro. Ai ka kontratë me ekipin deri në vitin 2025 dhe kërkoi largimin nga “Old Traffordi” gjatë kësaj vere, por krerët e Unitedit ia bllokuan një mundësi të tillë.

“Ka pasur interesim të madh nga Italia dhe Gjermania, por mungoi bashkëpunimi i Manchester Unitedit në këtë aspekt. Jam shumë i zhgënjyer për këtë veprim dhe shpresoj që tani atij t’i jepet mundësia për të dëshmuar veten”, ka thënë Albers.

Ai po ashtu ka zbuluar se edhe mesfushori holandez është i dëshpëruar me veprimin e Manchester Unitedit. Këtë edicion, Van de Beek nuk e ka asnjë paraqitje në Premier League.