Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi, rekordmeni i Dinamos për ndeshje evropiane

Futbollisti shqiptar, Arijan Ademi, vazhdon të jetë vendimtar për Dinamon e Zagrebit. Ademi është kapiten i gjigantit kroat dhe tashmë i ka 77 ndeshje në Kupa Evropiane. Është i pari në histori të këtij klubi me të kaluar të pasur, sa u takon ndeshjeve evropiane.

Këtë rekord e arriti të enjten në fitoren 2:0 të Dinamos ndaj Feyenoordit, në kuadër të Ligës së Evropës.

Sipas Sportske Novostit, Ademi është edhe lojtari me më së shumti trofe në historinë e Dinamos së Zagrebit. Ka fituar 17 trofe deri më tani. Ai ka nëntë tituj të kampionit të Kroacisë, pesë Kupa të Kroacisë dhe tri Superkupa.

Ndaj Feyenordit ishte prej më të mirëve. Pasoi për Lirim Kastratin që siguroi penallti e po ashtu asistoi në golin e dytë. Me atë fitore Dinamo siguroi kalimin në fazën nokaut.

“Kemi bërë hap të madh me sigurimin e Evropës për pranverë. Unë jam bërë rekordmen për ndeshjet evropiane të luajtura me Dinamon”, ka thënë Ademi.

Para sukseseve me Dinamon ai kishte arritur sukses historik me Maqedoninë e Veriut. Është kualifikuar në Euro 2020. Për herë të parë Maqedonia e Veriut do të luajë në një ngjarje të madhe të futbollit. Si te Dinamo, Ademi është bartës edhe te Maqedonia e Veriut.

“Ky vit ishte shumë i suksesshëm për mua. Por shpresoj të kemi edhe më shumë suksese në vitin 2021. Me reprezentacionin jemi kualifikuar në Evropian. Tani me Dinamon kemi siguruar fazën nokaut. Po ashtu, kam një djalë, që më ka gëzuar më së shumti. Në anën tjetër, ky ishte vit i pandemisë, i tërmetit. Por për mua solli gëzime e suksese”, ka thënë Ademi.

Dinamo me fitore ka vazhduar edhe të dielën. Ka fituar 5:1 në udhëtim ndaj Slavenit, në kuadër të kampionatit kroat. Ademi luajti 80 minuta.

Artikuj të ngjashëm