Sport

Abakarov kërkon në Beograd titullin e botës për Shqipërinë

Vendimi i Federatës së Mundjes së Shqipërisë për të natyralizuar dy mundës çeçenë përfundimisht është shpaguar të premten, sa u takon rezultateve sportive. Njëri prej tyre, Zelimkhan Abakarov, ka arritur në finale të Kampionatit Botëror të Mundjes. Botërori po mbahet në Beograd, ku të shtunën mbrëma do të shfaqet flamuri i shqiptarëve. Për më tepër, mundësi i Shqipërisë në gjysmëfinale e mposhti garuesin e Serbisë, Stevan Miçiq. Ndaj Miçiqit, që ka dy medalje evropiane, Abakarov ishte bindës. Nuk është rrezikuar asnjëherë, ndërsa fitoi 6:1.

Në çerekfinale mundësi i Shqipërisë e mposhti Gulomjon Abdullaevin e Uzbekistanit me rezultatin 13:2.

Bindës ishte edhe në një të tetën e finales, në të cilën fazë e mposhti kubanin Reineri Andreu Ortega me rezultatin 10:0. Me rezultat të njëjtë e mposhti edhe kolumbianin Oscar Eduardo Tigreros Urgano në luftën e parë.

Abakarov garon në kategorinë deri 57 kilogramë në stil të lirë. Finalja zhvillohet të shtunën pas orës 18:00, ndërsa përballë mundësit të Shqipërisë do të jetë amerikani Thomas Gilman. Amerikani ka suksese më të mëdha në karrierë. Ka fituar medalje të bronztë olimpike në Tokio, ndërsa ka edhe medalje të artë botërore. Është kampion në fuqi. Në vitin 2017 kishte fituar medalje të argjendtë botërore.

Ka edhe shumë suksese të tjera, por Abakarov është i vendosur ta fitojë finalen. Kështu të paktën thonë në Federatën Shqiptare të Mundjes.

Abakarov është 29-vjeçar dhe ka garuar për Rusinë në të kaluarën. Por për shkak të konkurrencës së madhe nuk ka prezantuar Rusinë në ngjarjet madhore. Prandaj edhe vendosi të garonte për Shqipërinë. Tashmë ka fituar medalje të artë në Lojërat Mesdhetare.

Finalja e Botërorit është suksesi më i madh i mundjes së Shqipërisë deri më tani. Por synim mbetet medalja e artë.

Kryetari i Federatës së Mundjes së Shqipërisë, Sahit Prizreni, kishte paralajmëruar ditë më parë për KOHËN nivelin e lartë të Abakarovit.

“Duke qenë kohë të gjatë në këtë sport dhe duke parë përkushtimin dhe cilësinë e Zelimkhanit, kisha një bindje të fortë që ka ardhur me kohë për të prekur majën. Dhe në fakt akoma nuk e kemi thënë fjalën e fundit. Nesër duam të bëjmë histori për vendin dhe sportin tonë”, ka thënë Prizreni për KOHËN, të premten mbrëma. Ai ka medalje të bronztë në Botërorin e vitit 2007, por ky sukses tashmë është kaluar. Prizreni ka edhe medalje të argjendtë evropiane, ndërsa është paraqitur edhe në Lojëra Olimpike.

Por punë të madhe sa u takon rezultateve po bën edhe si drejtues i Federatës. Mundja e Shqipërisë po prek kulmin me dy të natyralizuarit nga Çeçenia.

Islam Dudaev garon të shtunën në kategorinë deri 61 kilogramë dhe po ashtu llogaritet pretendues. Dudaev ka fituar medalje të bronztë në Evropian dhe Lojëra Mesdhetare. Tani kërkon medaljen edhe në Botëror.

“Të dy janë potencialë për medalje olimpike”, ngul këmbë Prizreni.

Shqipëria ende nuk ka medalje olimpike.