Sport

Mundësit e natyralizuar po shkruajnë histori për Shqipërinë

Dy medalje i ka fituar Shqipëria në Kampionatin Evropian të mundjes që të dielën përfundoi në Bukuresht të Rumanisë. Dhe të dy medaljet erdhën nga mundës të natyralizuar.

Në mundje, angazhimi i garuesve cilësorë nga pjesë të ndryshme të Rusisë, por edhe nga vende të tjera, është praktikë e shpeshtë. Federata Shqiptare e Mundjes ka angazhuar fillimisht dy mundës nga Rusia, përkatësisht çeçenë. Dhe të dy po fitojnë medalje të rëndësishme me ngjyrat kuqezi.

Image

Në Evropian, Islam Dudaev fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 65 kilogramë në stil të lirë. Në finale, Dudaev e mposhti Gadzhimurad Rashidovin e Rusisë. Mundësit rusë paraqiten si sportistë të pavarur. Dudaev e fitoi të artën të shtunën.

Federata Ndërkombëtare e Mundjes (UËË) ka shkruar se Dudaev, 29-vjeçar, kishte konsideruar largimin nga sporti më herët në karrierë. Ai nuk ishte plotësisht i bindur se do të jetë i suksesshëm.

“Por për të mirën e tij personale dhe të Shqipërisë, Dudaev nuk ishte tërhequr dhe fitoi titullin e parë të Evropës për Shqipërinë. Para Dudaevit, olimpisti i trefishtë, Sahit Prizreni dhe kampioni botëror, Zelimkhan Abakarov, siguruan finalen e Evropianit, por pa e fituar të artën”, ka shkruar UËË.

Dudaevi ka garuar për Rusinë deri në vitin 2020. Prej vitit 2022 prezanton Shqipërinë. Në vitin 2022 kishte fituar medalje të bronztë në Evropian dhe tjetër të bronztë në Lojëra Mesdhetare. Tani është pretendues edhe për medalje olimpike.

Me Rusinë i kishte dy medalje të bronzta në Botërorin U23. Por te Rusia nuk gjeti vend më pas dhe Shqipëria e shfrytëzoi rastin.

Edhe më i suksesshëm është Zelimkhan Abakarov. Ai të dielën u paraqit në finale të Evropianit në kategorinë deri 61 kg në stil të lirë. Pësoi nga Abasgadzhi Magomedov me rezultatin 7:3. Magomedov garoi si i pavarur, pasi është nga Rusia. Abakarovi ka synuar të artën, por largohet nga Bukureshti me medalje të argjendtë. Abakarov, 30-vjeçar, ka garuar për Rusinë, po ashtu, deri në vitin 2020, ndërsa prej vitit 2022 është te Shqipëria. Është kampion botëror nga vitit 2022 për Shqipërinë. Madje të artën kishte fituar në Beograd. Vjet fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror që po ashtu u mbajt në Beograd. Ka të artë edhe në Lojërat Mesdhetare për Shqipërinë, ndërsa tani i ka dy medalje të argjendta nga kampionatet evropiane.

Së fundi, Federata Shqiptare e Mundjes ka natyralizuar edhe Chermen Valievin. Në Evropian ai u ndal në luftën e parë.

Në Evropian kishte edhe mundës shqiptarë. Dy përfaqësues të Shqipërisë dhe një i Kosovës u ndalën në luftërat e para.

Ka vlerësime të ndryshme lidhur me natyralizimin e sportistëve nga vendet e tjera. Disa janë pro këtij veprimi e disa janë kundër. Por Abakarovi e Dudaevi po mundësojnë që flamuri shqiptar të shfaqet në ngjarjet më të mëdha të mundjes. Po ashtu, po mundësojnë që të intonohet himni shqiptar.

Shqipëria ende nuk ka medalje olimpike. Gjasat janë të mëdha që Abakarov e Dudaev t’i japin fund pritjes së gjatë. Abakarovi e ka siguruar normën, ndërsa Dudaevi i ka edhe dy turne për ta bërë këtë.