Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Paris 2024

Shqipëria kalon barrierën e madhe

shqiperi

Më në fund edhe Shqipëria është në listën e vendeve me medalje të fituara në Lojërat Olimpike. Deri këtë fundjavë, Shqipëria ishte në listën e vogël të vendeve evropiane pa medalje të fituar. Tani është në listën e madhe të vendeve me medalje të fituar.

Nga Parisi, ku të dielën përfunduan Lojërat Olimpike, delegacioni i Shqipërisë kthehet me dy medalje të bronzta. Janë medaljet e para olimpike për Shqipërinë, që në Lojërat Olimpike debutoi që në vitin 1972.

Më pas mungoi në katër edicione të Lojërave Olimpike, kurse u kthye në vitin 1992. Prej atëherë sportistët e Shqipërisë kanë garuar rregullisht në Lojëra Olimpike, por pa ia dalë të fitojnë medalje.

Kjo ndryshoi të shtunën kur në “Parisi 2024” u fitua medalja e parë e bronztë. E dyta e bronztë u fitua të dielën, në ditën e fundit të Lojërave Olimpike.

Ka pasur reagime të shumta, pro e kundër, për faktin që dy medaljet e para për Shqipërinë erdhën nga mundës të natyralizuar. Chermen Valiev e fitoi të bronztën në kategorinë deri 74 kilogramë në stil të lirë.

Edhe Historike, medalja e parë olimpike për Shqipërinë Paris 2024 Historike, medalja e parë olimpike për Shqipërinë

Ai deri më herët këtë vit ka garuar për Rusinë. Është nga Osetia Veriore.

Të bronztën në kategorinë deri 65 kilogramë në stil të lirë e fitoi Islam Dudaev. Ai ka garuar për Rusinë nga viti 2017 deri në vitin 2020. Prej vitit 2022 mbron ngjyrat e Shqipërisë. Dudaev është nga Dagestani, ndërsa iu bashkua Shqipërisë së bashku me Zelimkhan Abakarovin e Çeçenisë. Abakarovi mbeti pa medalje olimpike, por ka fituar titull të botës për Shqipërinë.

Është Sahit Prizreni, kryetari i Federatës Shqiptare të Mundjes që solli këta top-garues te Shqipëria. Në aspektin sportiv, lëvizja po del të jetë më se e qëlluar. Shqipëria tashmë mund të mburret se ka medalje olimpike.

Por fakti se dy medaljet e para u fituan nga garues të natyralizuar, vlerësohet ndryshe. Disa e përkrahin këtë e disa jo.

Në mundje, dukshëm më tepër se në sportet e tjera, kalimi i sportistëve nga një vend në vend tjetër është shumë i përhapur. Dhe prej këtyre lëvizjeve ka përfituar shumë edhe Shqipëria. 

Natyrisht, përfitimet do të jenë të mëdha edhe për dy mundësit. 

Edhe Tjetër medalje olimpike për Shqipërinë, Dudaev i bronztë Paris 2024 Tjetër medalje olimpike për Shqipërinë, Dudaev i bronztë

Ka pasur shumë shkrime për të arsyetuar dy medaljet e para olimpike të Shqipërisë. Vetë reagimet janë dëshmi se medaljet nuk e kanë shijen e njëjtë sikur ato të jenë fituar nga sportistë të lindur e të rritur në Shqipëri. Apo të paktën sportistë shqiptarë.

Por këto diskutime pritet të kalojnë shpejtë. Dhe Shqipëria do të jetë në listat e vendeve me medalje olimpike. Dhe mund të mburret se i ka dy të bronzta në ngjarjen më të madhe të sportit.