Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev janë mundësit që e përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd. Abakarov garon në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa Dudaev në kategorinë deri 61 kilogramë. Të dy janë në stil të lirë, ndërsa garojnë më 16 e 17 shtator.
Abakarov e Dudaev janë nga Çeçenia. Por kanë vendosur të garojnë për Shqipërinë.
“Trendi” i kalimit të mundësve nga një vend në një vend tjetër nuk është i ri. Dhe atij i është bashkuar edhe Shqipëria. Kryesisht mundës nga republikat e Rusisë, Çeçenia e Dagestani u bashkohen ekipeve të shteteve të tjera dhe garojnë për to në ngjarje të mëdha. Ka shumë arsye për këtë. Ndër të tjera, konkurrenca për një vend në ekipin e Rusisë vazhdimisht është e madhe. Aktualisht sportistët e Rusisë nuk lejohen të marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare dhe kjo ka sjellë një valë të re të natyralizimit të mundësve.
Por jo vetëm mundësit nga Rusia kalojnë në ekipe të tjera. Në Botërorin në Beograd, Ali Arsalan ka fituar medalje të artë në kategorinë deri 72 kilogramë në stilin greko-romak. Arsalan është nga Irani, ndërsa tani garon për Serbinë. Zurab Datunashvili është nga Gjeorgjia, ndërsa ka fituar, po ashtu, medalje ari për Serbinë. Turpal Bisultanov është nga Çeçenia dhe ka fituar medalje të argjendtë për Danimarkën.
Të tjerë mundës të natyralizuar do të fitojnë medalje në Botërorin në Beograd. Dhe shpresat janë që edhe mundësit e natyralizuar nga Shqipëria të zënë vend në podium.
Kryetari i Federatës së Mundjes së Shqipërisë, Sahit Prizreni, mbështet praktikën e natyralizimit të mundësve. Prizreni është ish-mundës cilësor, ndërsa tani po e drejton Federatën Shqiptare të Mundjes. Nën drejtimin e tij, sukseset nuk po mungojnë.
“Mendoj se çdo federatë punon për të ngritur cilësinë e sportistëve dhe sigurisht të ketë rezultate sa më të larta në arenën ndërkombëtare. Mundësit nga Çeçenia janë ndër më të mirët dhe ne si federatë e kemi parë si një mundësi për të ngritur lart sportin dhe emrin e vendit tonë”, ka thënë Prizreni për KOHËN.
Dudaev e Abakarov tashmë kanë sjellë medalje me peshë për Shqipërinë. Dudaev ka fituar medalje të bronztë në Evropianin e këtij viti. Në Lojërat Mesdhetare të këtij viti, Abakarov fitoi medalje të artë, ndërsa Dudaev shtoi një të bronztë. Pra, në aspektin e rezultateve ardhja e dy mundësve po del të jetë e qëlluar.
Një pjesë e njohësve të sportit natyralizimin e interpretojnë si tentim për të mbuluar mungesën e cilësisë dhe punës në vendin përkatës.
Sahit Prizreni e sheh më ndryshe.
“Duke qenë që mundja është sport i kontaktit direkt, kjo absolutisht e ndihmon dhe zhvillon këtë sport, sepse vetëm nga sportistët e mirë përfitohet. Fatmirësisht djemtë tanë e kanë justifikuar besimin e dhënë, edhe pse unë nuk kam pasur dyshime që nga dita e parë. Dhe sigurisht që pres shumë nga djemtë dhe ata presin shumë nga vetja”, ka shtuar Prizreni.
Në Botëror nuk po merr pjesë Rusia dhe kjo rrit gjasat e shteteve të tjera për sukses. Rusia, si në shumë sporte, në mundje është superfuqi. Aq shumë ka mundës në Rusi, përkatësisht në Çeçeni e Dagestan, sa prej atje furnizohen edhe shumë vende të tjera.
“Sigurisht që mungesa e Rusisë është një mundësi për të gjitha shtetet. Dihet që Rusia është shumë cilësore”, ka shtuar i pari i Federatës Shqiptare të Mundjes.
Prizreni ka treguar që ka disa kushte që duhet të plotësohen për natyralizimin e mundësve. Thotë se jo çdo federatë mund të natyralizojë mundës. Edhe FSHM-ja ka pasur vështirësi, sidomos për faktin që Dudaev e Abakarov janë paraqitur më parë për Rusinë në gara ndërkombëtare. Të dy prej këtij viti kanë nisur të garojnë për Shqipërinë.
Është Sahit Prizreni që ka sjellë te Shqipëria dy mundësit cilësorë nga Çeçenia.
“Duke qenë kohë të gjatë në këtë sport, kam krijuar miq në gjithë botën. Përmes një mikut që është në Çeçeni është bërë e mundur që kjo ide të realizohet. Është bërë e mundur me këmbëngulje të gjatë nga ana jonë, por edhe me dashamirësinë e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Ai ka bërë të mundur që këta dy sportistë të natyralizohen, bashkë me përkrahjen e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli”, ka treguar Sahit Prizreni, fitues i medaljeve botërore e evropiane për Shqipërinë. Ai është ish-olimpist.
“Është e vështirë të gjenden mundës cilësorë për natyralizim, por ndonjëherë është edhe fat i një shteti apo sportisti. Janë sportistët ata që sakrifikojnë, por ne si federatë duhet të bëjmë rrugën sa më të lehtë për te suksesi. Këta dy sportistë trajtohen siç trajtohen disa nga sportistët e tjerë tanë. Ata tashmë janë medalistë dhe shteti bashkë me ne si federatë i trajton në mënyrë të veçantë. Nuk është ndonjë barrë për shtetin”, ka treguar Prizreni.
Ai pret suksese të tjera të mëdha nga Dudaeve e Abakarovi.
“Angazhimi i tyre ka qenë zgjedhje dhe vendim i duhur. Dhe ju siguroj që më e mira prej tyre nuk ka ardhur ende. Sa i përket Botërorit, kam bindjen e fortë që të dy këta sportistë do të nderojnë Shqipërinë dhe do të na bëjnë të ndihemi krenarë. E them, po ashtu, me bindje që të dy janë potencial për medalje olimpike”, ka theksuar Prizreni.
Natyralizimi i mundësve nga Rusia është shumë i përhapur edhe në vendet aziatike. Filipinet, Bahrejni, Katari, Kirgistani, Kazakistani, Uzbekistani janë prej vendeve që kanë marrë mundës të lindur në Rusi.
“Mundësit nga Rusia janë në gjithë botën tashmë. Ka edhe në Spanjë, Francë, Hungari e Poloni”, ka thënë më herët Daulet Karybaev, zyrtar në Federatën Aziatike të Mundjes.
Përkrahja për mundësit në Rusi është e mirë. Por ka aq shumë mundës saqë jo të gjithë të mirët kanë përkrahjen e duhur. Dhe rrjedhimisht ata kërkojnë më shumë para me kalimin në vende të tjera. Po ashtu, me kalimin në vende të tjera kanë gjasa për të garuar në ngjarjet e mëdha të mundjes e po ashtu në Lojërat Olimpike. Kështu të kënaqur janë të dy palët, mundësit e vendet që i angazhojnë.
Në Kazakistan, përkrahja mujore për mundësit e natyralizuar ka qenë 1000 dollarë. Të njëjtët mundës nëse do të qëndronin në Rusi do të merrnin 200 apo 300 dollarë. Të tjera shpërblime ka për suksese në garat e mëdha.
Kosova ende nuk ka mundës të natyralizuar. Nuk dihet nëse do t’i bashkohet trendit. Por nuk ka as suksese të mëdha ndërkombëtare, ndërsa nuk po merr pjesë në Botëror. Zyrtarisht është thënë se nga Botërori është hequr dorë për shkaqe sigurie, por, po ashtu, mungojnë edhe mundësit cilësorë që do të mund të ishin konkurrentë në ngjarjen madhore.