Superylli Lionel Messi është suspenduar për dy javë nga Paris Saint-Germaini, pasi këtë javë udhëtoi për në Arabi Saudite pa lejen e klubit. Udhëtimi erdhi pas humbjes së PSG-së nga Lorienti, të dielën, në të cilën ndeshje argjentinasi luajti 90 minuta. Messi nuk do të udhëtojë dhe nuk do të luaj për kampionin francez gjatë periudhës dyjavore të suspendimit. BBC ka raportuar se 35-vjeçar ka kërkuar leje për të shkuar në Arabi për çështje afariste, por këkresa i është refuzuar. Messi, që po ashtu është gjobitur nga klubi, ka rol si ambasador i turizmit për Arabinë Saudite. Kontrata dyvjeçare e fituesit të Kupës së Botës me PSG-në përfundon në verë. Nënpresidenti i Barcelonës, Rafael Yuste ka thënë në mars që klubi spanjoll ishte në kontakt me Messin për një kthim të tij në “Camp Nou”. Messi ka shënuar 31 gola dhe ka kontribuuar me 34 asistime në 71 ndeshje në të gjitha garat për PSG-në. Ka fituar titullin e kampionit të Francës në edicionin e kaluar. Ai do të mungojë në ndeshjet ndaj Troyesit dhe Ajaccios. Pesë xhiro para fundit të Ligue 1, PSG-ja udhëheq me pesë pikë më shumë se përcjellësi i parë dhe është në rrugë të mirë për ta fituar titullin e nëntë në 11 edicionet e fundit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
-
2 maj 2023 22:54
-
Shpërndaje në:
Artikuj të ngjashëm