Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Messi kërkon falje pas suspendimit nga Parisi

Superylli Lionel Messi ka kërkuar falje pas suspendimit që kishte të bënte me udhëtimin e tij në Arabinë Saudite pa lejen e klubit të tij, PSG.

Messi u suspendua nga klubi francez për dy javë. Ai nuk do të jetë në formacionin e Christophe Galtierit për duelet kundër Troyesit dhe Ajaccios.

Argjentinasi të premten i ka kërkuar falje klubit francez dhe bashkëlojtarëve.

“Kam menduar se do të kemi një ditë pushim pas ndeshjes siç ndodh gjithmonë. Kisha një udhëtim të organizuar dhe nuk kam mundur ta anuloja. E kisha anuluar më herët një herë. U kërkoj falje bashkëlojtarëve dhe jam në pritje të vendimeve të mëtejme të klubit në raport me mua”, ka thënë Messi.

Më 2 maj, Messi u suspendua për dy javë nga Paris Saint-Germaini, pasi udhëtoi për në Arabi Saudite pa lejen e klubit. Udhëtimi erdhi pas humbjes së PSG-së nga Lorienti, të dielën, në të cilën ndeshje argjentinasi luajti 90 minuta.

Messi nuk do të udhëtojë dhe nuk do të luajë për kampionin francez gjatë periudhës dyjavore të suspendimit.

Kontrata dyvjeçare e 35-vjeçarit me PSG-në përfundon në verë.

Messi ka shënuar 31 gola dhe ka kontribuuar me 34 asistime në 71 ndeshje në të gjitha garat për PSG-në. Ka fituar titullin e kampionit të Francës në edicionin e kaluar. Ai do të mungojë në ndeshjet ndaj Troyesit dhe Ajaccios.

Pesë xhiro para fundit të Ligue 1, PSG-ja udhëheq me pesë pikë më shumë se përcjellësi i parë dhe është në rrugë të mirë për ta fituar titullin e nëntë në 11 edicionet e fundit.

 

Artikuj të ngjashëm