Sport

Arbnor Morina merr drejtimin e Kosovës U17

Arbnor Morina është emëruar përzgjedhës i ri i Përfaqësueses U17 të Kosovës në futboll. Morina të martën ka firmosur kontratën, ndërsa presidenti i FFK-së,

Agim Ademi i ka dëshiruar suksese në ciklin e ardhshëm kualifikues. Ndërkohë, Morina ka falënderuar kreun e federatës për besimin dhe është shprehur i gatshëm për ta dhënë maksimumin e tij që Kosova U17 të ketë rezultate të mira.

Morina në këtë post ka zëvendësuar Arsim Abazin, i cili u largua javë më parë.

"Puna e trajnerit është punë e cila nuk ka pushim dhe nuk ka kufij. Jam i lumtur që jam kthyer aty ku kam qenë prej vitit 2000 deri në vitin 2005. Së bashku me stafin tim do të mundohemi të bëjmë më të mirën që duhet bërë për Kombëtaren U17. Jam i lumtur që po e pasoj Arsim Abazin, i cili është trajner i mirënjohur dhe miku im i vjetër. Do të punojmë shumë në atë drejtim që djemtë tanë t’i bindim që duhet të arrijnë rezultate kulminante, ngase i mbrojnë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës", ka theksuar Morina.

Kosova U17 në kualifikimet për “Euro 2023” bën pjesë në Grupin 9, së bashku me Anglinë, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Kroaci, prej 3 deri më 9 nëntor.