Danimarka ka fituar Kampionatin Botëror në hendboll. Në finalen e së dielës mbrëma, Danimarka e mposhti kampionen olimpike, Francën, me rezultat 34:29.
Është titulli i tretë rresht i botës për danezët. Askush nuk e ka arritur këtë në hendboll e po ashtu në shumicën e sporteve tjera kolektive.
Në finalen e luajtur në Stokholm të Suedisë, Danimarka ka udhëhequr nga fillimi. E nisi ndeshjen shumë mirë dhe shpejt krijoi epërsi prej pesë golash. Franca megjithatë u kthye dhe pas pjesës së parë rezultati ishte 16:15 për Danimarkën.
Në pjesën e dytë Franca luftoi për kohë të gjatë, por në minutat e fundit danezët sërish mbajtën epërsi prej 4-5 golave.
Danimarka e fitoi titullin e parë në vitin 2019 e më pas këtë sukses e arriti edhe në vitin 2021.
Rasmus Lauge udhëhoqi Danimarkën me 10 gola. Nëntë i kishte Simon Pytlick. Nedim Remili ishte më efikasi te Franca me gjashtë gola.