Mesfushori Kushtrim Gashi më nuk është pjesë e skuadrës së Ballkanit. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook të martën, Gashi ka bërë të ditur se është lojtar i lirë. Mesfushori defensiv po largohet nga Ballkani pas tre sezoneve.
Ai me Ballkanin e fitoi titullin e kampionit. Ai shkroi se po largohet me kokën lartë dhe Ballkanit i ka uruar suksese në garat evropiane.
Largimi i Gashit nga Ballkani erdhi për shkak të përplasjes verbale me trajnerin Ilir Daja para ndeshjes së raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Zhalgirisit. Gashi për këtë situatë i ka kërkuar falje presidentit të Ballkanit, Arsim Kabashit.
“Te dashur qytetar te Suharekës , dhe ju tifoz të klubit FC Ballkani, desha te ju njoftoj se nga sot jam lojtar i lirë. Duke e falënderuar presidentin Arsim Kabashi për korrektësinë e treguar për këto tri vite, e ndjej obligim ti kërkoj falje për situatën që ndodhi para ndeshjeve ne garat evropiane. Po largohem pas 3 viteve të kaluara me kokën lart duke dhen gjithçka nga vetja çdo stërvitje dhe çdo ndeshje pa ndalur asnjë minutë të vetëm derisa arritëm qëllimin që kishim se bashku duke u shpall kampion ne Superligën e Kosovës për herë të parë në historinë e klubit”, ka shkruar Gashi, i cili ka falënderuar edhe tifogrupin “Xhebrailat.
“Duke i dëshiruar të gjitha sukseset e mundshme në garat evropiane po largohem duke ju thënë vetëm mirupafshim, por jo edhe lamtumirë”.