Kushtrim Gashi do të jetë pjesë e ekipit të Prishtinës për ndeshjen kundër Ballkanit. Klubi Prishtina ka bërë të ditur pak orë para ndeshjes se është arritur marrëveshje në mes të Remzi Ejupit dhe presidentit të Ballkanit, Arsim Kabashi për aktivizimin e Gashit në fushë. Në fakt, Gashi prishi kontratën me Ballkanin për t’u transferuar te Prishtina.
Ka pasur pas marrëveshje që Gashi të mos paraqitet ndaj Ballkanit. Megjithatë është arritur një marrëveshje dhe Gashi do të paraqitet ndaj ish-ekipit të tij.
“Me marrëveshje mirëkuptimi në mes Remzi Ejupit dhe presidentit të Ballkanit, Arsim Kabashi, i është mundësuar Gashit që të mund të aktivizohet në ndeshjen e sotme ndaj Ballkanit”, shkruan në njoftimin e Prishtinës. Ndeshja në mes të Prishtinës dhe Ballkanit luhet sonte nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri dhe i takon javës së pestë të Superligës. Është raportuar se të gjitha biletat janë shitur për këtë derbi të futbollit kosovar.