Futboll

Shehi largohet nga Ballkani

Orges Shehi

Trajneri Orges Shehi dhe Ballkani kanë ndarë rrugët të mërkurën në mbrëmje, ka njoftuar tri herë kampioni i Kosovës. Ballkani ka shkruar se Shehi ka njoftuar zyrtarët e klubit menjëherë pas humbjes 2:0 nga Drenica se do të largohet në muajin janar.

Ekipin do ta udhëheqë përkohësisht trajneri i skuadrës U21 të Ballkanit, Edon Gashi.

“FC Ballkani njofton se trajneri Orges Shehi nuk është më në krye të skuadrës sonë. Pas ndeshjes me Drenicën, trajneri Shehi ka informuar lojtarët dhe klubin se kishte planifikuar të largohej në muajin janar. Duke e vlerësuar situatën dhe nevojën për stabilitet të menjëhershëm në ekip, kryesia e klubit ka marrë vendim që largimi i tij të ndodh tani. Klubi falënderon Orges Shehin për punën dhe kohën e kaluar te FC Ballkani, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës”, ka shkruar Ballkani.

Shehi largohet nga Ballkani ndonëse ka vetëm tri pikë më pak se Prishtina lidere me 26 pikë. Prishtina e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Shehi u zyrtarizua si trajner i suharekasve më 6 dhjetor të vitit të kaluar.