Kroacia po shkonte drejt fitores. 23 sekonda para fundit rezultati ishte 79:75 në të mirë të saj. Por në basketboll sekondat janë të mëdhenj. Dhe kjo u dëshmua edhe në ndeshjen e së dielës mbrëma në Rjekë.
Edon Maxhunit, basketbollistit kosovar të përfaqësueses së Finlandës, nuk iu drodhën duart 23 sekonda para fundit. Ai realizoi për tri pikë dhe ngushtoi rezultatin në 79:78. Maxhuni bëri shpejt faull në Lovro Gnidiq. Kroati nuk shënoi asnjërën gjuajtje të lirë dhe rezultati mbeti 79:78 në të mirë të Kroacisë. Katër sekonda para fundit Lauri Markkanen shënoi për tri pikë, përkatësisht për rezultatin 81:79. Kroacia humbi një tentim për tri pikë e më pas dy gjuajtje të lira. Dhe shifrat nuk ndryshuan.
Finlanda fitoi 81:79 për të ngjallur reagime të mëdha në opinionin kroat. Ishte ndeshja e fundit e raundit të parë kualifikues për Botërorin 2023. Finlanda fitoi grupin me pesë fitore e një humbje, ndërsa Kroacia e mbylli garën në vendin e fundit në grup me një fitore e pesë humbje. Dhe nuk avancoi tutje. Prej Grupit C avancuan në fazën e dytë edhe Sllovenia e Suedia. Pra, grupi ishte shumë i fortë.
Dhe Maxhuni ka shfaqur lojëra të mira në ndeshjet e këtij grupi. Ka ndihmuar Finlandën për të arritur suksesin e madh.
Në raundin e dytë kualifikues Finlanda luan në grup me Slloveninë, Suedinë, Gjermaninë, Izraelin e Estoninë. Ndeshjet e para janë në fund të gushtit.
Deri atëherë fundori Maxhuni pritet ta vendosë të ardhmen. Të ardhmen në nivel klubesh natyrisht. Ai nuk e përjashton mundësinë që të transferohet në Kosovë. Golden Eagle Ylli ka njoftuar tashmë se ka nisur kontaktet me Maxhunin. Por Ylli nuk është klubi i vetëm kosovar i interesuar për basketbollistin 24-vjeçar.
Maxhuni në edicionin e fundit luajti në Holandë për skuadrën Den Bosch. E fitoi titullin e kampionit.
“Edicioni i kaluar ishte mjaft i mirë për mua dhe për ekipin. Jam i lumtur që kam mundur ta ndihmoj ekipin të arrijmë sukseset që i kishim. Në fund të edicionit më ka përfunduar kontrata dhe aktualisht jam basketbollist i lirë”, ka thënë Maxhuni të hënën për KOHËN.
Ai tregon se ka oferta nga vende të shumta. Edhe nga Kosova.
“Nga Kosova jam kontaktuar nga skuadra e Yllit dhe ajo e Prishtinës. Kam pasur edhe një bisedë me trajnerin e Yllit. Jam i hapur të kthehem në Kosovë për të luajtur dhe mund të them që kemi pasur bisedime. Por asgjë nuk ka konkrete deri më tani”, ka shtuar Edon Maxhuni, që i takon një familjeje basketbollistësh.
Ai ka luajtur në të kaluarën në Finlandë, SHBA, Spanjë e Estoni. Dhe është gati për hapin tutje në karrierë.
“Nuk kam vendosur ende për të ardhmen time, por nuk e përjashtoj mundësinë që të luaj në kampionatin e Kosovës”, thotë Maxhuni. Ai fillimisht së bashku me menaxherin do të shqyrtojë të gjitha ofertat e më pas do të vendosë. Në aspektin financiar me shumë mundësi ofertat nga Kosova do të jenë prej më të mirave.
Kam oferta edhe nga skuadra evropiane. Së shpejti do të vendos për të ardhmen time”, ka theksuar reprezentuesi i Finlandës.
Maxhuni ka startuar te Finlanda ndaj Kroacisë. Në parket i kaloi mbi 19 minuta, ndërsa realizoi shtatë pikë. Kishte edhe pesë asistime.
“Jam shumë i lumtur për fitoren ndaj Kroacisë. Kemi bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Botëror. Kemi krijuar skuadër të mirë dhe jemi kohë të gjatë së bashku. Kjo po sjell rezultate”, ka theksuar Maxhuni.
Në fazën e dytë Finlanda është në grup të fortë. Por edhe Finlanda ka cilësi dhe këtë e dëshmoi në fazën e parë kualifikuese.
“Po shpresojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate të mira dhe të kualifikohemi në Botërorin e vitit të ardhshëm. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, grupi është i fortë. Por shpresat dhe synimet janë që të kualifikohemi në Botëror. Do të ishte gjë e madhe për të gjithë ne”, ka shtuar basketbollisti që së shpejti mund të paraqitet në parketet kosovare.