Sport

Asllani, mjeshtri i ri i mesfushës së Interit

Udhëtimi mund ta zgjerojë horizontin dhe të ofrojë mundësi të papritura. Prapa në vitin 2004, kur Kristjan Asllani ishte vetëm dyvjeçar, ai e bëri udhëtimin e parë të madh në jetë. Familja e tij emigroi nga qyteti i Elbasanit të Shqipërisë drejt Butit, në Italinë qendrore. Ishte në këtë qytet të vogël toskan, ku familja e të riut u vendos dhe Kristjani mori theksin që e identifikon se është nga ai regjion.

Si fëmijë, Kristjani rrallë herë shihej larg futbollit, nuk e humbte asnjë shans për ta goditur topin. Ishte dashuri e thellë dhe pasioni për këtë lojë e dërgoi te Butese në moshën pesëvjeçare.

kam mundur ta imagjinojë asnjëherë se do të vija deri në këtë pikë. E lash Shqipërinë kur i kisha vetëm dy vjet dhe erdha në Itali. E kam përfunduar shkollimin në Itali dhe kam mësuar futbollin këtu. Nuk e kam imagjinuar se do të ndodhte një gjë e tillë”, ka deklaruar Asllani, të enjten për faqen zyrtare të Interit, pasi iu bashkua këtij gjiganti italian të futbollit.

Futbollistët që janë me të vërtetë të talentuar e kanë një aftësi që i dallon nga gjithë të tjerët. Në rastin e Kristjanit aftësitë e tij të shkëlqyera me topin u panë nga trajnerët e të rinjve të ekipit, që punuan me orë të panumërta për t’i përmirësuar aftësitë e mesfushorit. Futbollistët që luajnë mirë me dy këmbët janë të rrallë. Që në fazat e hershme të zhvillimit të Kristjanit, ai i la të gjithë gojëhapur, pasi I ekzekutonte goditjet nga këndi me të majtën apo me të djathtën, nga të dy anët e fushës.

Debutimi me të rinjtë ishte në një ndeshje me shumë tifozë dhe kujtohet me një gol të shënuar pas një vrapimi të gjatë. Përkushtimi i palëkundur dhe puna e vazhdueshme bëri që ai t’i bashkohej Akademisë së Empolit në moshën dhjetëvjeçare. Futbollisti i ri shqiptar përforcohej vazhdimisht në një rreth ideal, i cili bëri që futbolli i tij të lulëzonte.

Dukej sikur Kristjani ishte i destinuar që të përfundonte tek Interi. Ka një numër të rastësive nga jeta e tij personale dhe profesionale. Ditëlindja e tij është e njëjtë me klubin – 9 mars – dhe në edicionin 2020/21, Empoli i tij e eliminoi Interin në gjysmëfinale te Primavera, ndërsa Kristjani kontribuoi me një gol. Shënoi gol edhe në finale kundër Atalantas, me Empolin që triumfoi 5:3.

Kristjani veçse kishte debutuar tashmë me ekipin e parë, në janar të vitit 2021 kundër Napolit në Kupën e Italisë. Ai më pas shpërtheu dhe pati shumë paraqitje në kampanjën 2021/22.

“Nuk kam ndonjë objektiv për momentin. I marr gjërat hap pas hapi, por jam shumë i lumtur që kam debutuar në moshë të re. Do të doja ta falënderoja Empolin. I kam borxh këtij klubi shumë, por tani jam tek Interi dhe do të doja ta jap më të mirën”, u shpreh ai.

Kristjani e nisi sezonin me Primaveran, shënoi tri gola në Youth League dhe më pas doli përfundimisht në ekipin e parë me trajnerin Aurelio Andreazzoli, i cili shfaqi besim të madh në shqiptarin dinamik. Ai u bë shtyllë në mesfushën e toskanëve dhe e përjetoi një tjetër rastësi duke e shënuar golin e tij të parë në Serie A, në “San Siro” kundër Interit.

“Ndoshta është e vërtetë që goli që e shënova ishte një shenjë që unë kam një lidhje me Interin. Shënova golin e parë në San Siro dhe isha shumë i lumtur, por tani jam ndoshta edhe më i lumtur”.

Pas gjitha të përmendurave, rrugët e Asllanit 20-vjeçar dhe Interit tani janë bashkuar dhe ai bëhet lojtari i katërt shqiptar që bashkohet me Interin gjatë historisë, pas Sllave Llambit, Rey Manajt dhe Xherdan Shaqirit.

“Është ndjenjë e shkëlqyer. Jam vetëm 20-vjeçar dhe dhënia e rastit për ta përfaqësuar këtë klub është shumë e veçantë. Mezi pres të nis sezoni dhe të jap më të mirën”, përfundoi Asllani.

Pavarësisht moshës së re, Kristjani tashmë ka debutuar edhe me Përfaqësuesen e Shqipërisë dhe mezi pret që të ketë ndikim te klubi i ri dhe të tregojë se sa lart mund të arrijë.

Asllani, i cili tek Interi do ta bartë fanellën me numrin 14, ka nënvizuar ndër të tjera se mezi pret që të luajë para tifozëve të flaktë të skuadrës “ziekaltër”. Shpreson që ta ketë përkrahjen më të madhe të mundshme nga ta.

20-vjeçari pavarësisht se është rritur në futbollin italian, ka luajtur në grupmoshat zinxhirë të Shqipërisë. Debutoi me ekipin senior të “kuqezinjve”, më 26 mars të këtij viti. Ka katër paraqitje në total.

Për Kristjan Asllanin ka folur edhe sulmuesi i njohur belg, Romelu Lukaku. Lukaku u rikthye te skuadra e Interit pasi sezonin e kaluar e kaloi te Chelsea.

Shtatlarti i sulmit, 29-vjeçari Lukaku, u zyrtarizua të mërkurën si futbollist i ri i Interit, skuadër me të cilën e fitoi kampionatin italian në edicionin 2020/21.

Ai është takuar me Asllanin të enjten dhe e ka vlerësuar shumë futbollistin shqiptar.

“Kam folur me këtë djalin e ri, Kristjan Asllani. Më pëlqen mentaliteti i tij. Ai është i ri, është vetëm 20-vjeçar, por mënyra se si flet, duket si të jetë 27-vjeçar”, ka thënë Lukaku.

Belgu Lukaku nuk ishte i pranishëm vazhdimisht në formacionin titullar të Chelseat në sezonin e kaluar, kur i shënoi vetëm 15 gola në të gjitha garat.

Ai madje pranoi edhe ulje të pagës për t’u kthyer tek Interi, që po përballet me probleme financiare po ashtu.