Sport

Ylli konfirmohet në Champions

Kampioni i Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli në sezonin e ri, do të paraqitet në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të premten.

Ylli është konfirmuar në mesin e 52 skuadrave prej 70 sosh, sa kanë aplikuar për të garuar në sezonin 2022/23 nga Bordi i kësaj lige, që është niveli i tretë.

Edicioni i ri i Championsit, do të fillojë me raundet kualifikuese më 21 shtator ku do të paraqiten 24 skuadra, që do të luftojnë për të mbetur në mesin e katër më të mirave në rendite. Më pas, ato do t’i bashkohen 28 ekipeve tashmë të kualifikuara për sezonin e rregullt, falë sukseset që e kanë pasur edicionin e fundit në garat e tyre kombëtare.

Edicioni i rregullt fillon më 4 tetor, ndërsa formati mbetet i pandryshuar, me 32 skuadra të ndara në tetë grupe, ku fituesit e grupeve kalojnë direkt në 1/8 e finales, ndërsa ekipet e vendit të dytë dhe të tretë përballen në serinë “Play-In” në Janar të vitit të ardhshëm 2023.

Për Yllin, kjo është hera e parë që paraqitet në garat ndërkombëtare, ndërsa më herët në raundet kualifikuese të Championsit ka luajtur edhe Sigal Prishtina, por që është eliminuar në rrethin e parë.