Juergen Klopp dhe 15 trajnerët e tjerë që kanë mbetur ende këtë edicion në Ligën e Kampionëve kanë një gjë më pak për të menduar kur ta përgatisin ekipin për ndeshjet e fazës së nokautit. Ky është edicioni i parë në 57 vjet që rregulli i golit si mysafir – mënyrë që vendoste ndeshjet e garave evropiane për klube – nuk do të përdoret më.
UEFA njoftoi heqjen e rregullit vitin e kaluar, duke thënë se ai e kishte tejkaluar dobinë e tij dhe po i pengonte ekipet vendase të sulmonin nga frika se mos u jepte avantazh kundërshtarëve të tyre.
Pra me nisjen e 1/8 së finales në Champions, ekipet vendase duhet të luajnë më pa pengesa – në teori. Jo për faktin se Kloppi, i cili do ta drejtojë Liverpoolin në ndeshjen e parë kundër Interit të mërkurën mbrëma, do të ndryshojë shumë taktikën e tij si rezultat i zhvleftësimit të golit si mysafir.
“Nuk ka një ndikim masiv në mënyrën se si ne luajmë”, tha Klopp të martën. “Ne nuk shkojmë atje për t’u mbrojtur, por për ta luajtur lojën tonë dhe për të fituar”.
Megjithatë, jo të gjithë trajnerët janë aq sulmues sa Kloppi. Në fund të fundit ai mund të mbështetet te disa nga sulmuesit më të mirë në botë - Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Diogo Jota – për të shënuar gola kudo që luan Liverpooli, një luks që trajnerët e tjerë nuk e kanë. Më përpara, një rezultat 0:0 në ndeshjen e parë në shtëpi është vlerësuar pozitiv, por tani nuk mund të konsiderohet i tillë.
“Në të vërtetë më ka pëlqyer ai rregull dhe e kam përkrahur më herët. Kështu që nuk e di pse e kanë larguar, por për mua është në rregull”, shtoi Klopp.
Si rezultat i zhvleftësimit të këtij rregulli, tifozët mund të presin më shumë gjuajtje të penalltive këtë edicion dhe në të ardhmen.
Për dallim prej Kloppit, mbrojtësi i Liverpoolit, Trent Alexander-Arnold, ndihet më i qetë me rregullin e ri. E thotë këtë për shkak se mes dy ndeshjeve me Interin, Liverpooli do të luajë finalen e League Cup kundër Chelseat në stadiumin “Wembley” në Londër.
Në fakt Liverpooli është në garë për të fituar katër trofe këtë edicion, pasi është kualifikuar edhe në raundin e pestë të Kupës FA dhe zë vendin e dytë në Premier League, me nëntë pikë më pak se Manchester City që është lider.
“Ka shumë trofe në garë dhe nuk do të ndihemi të zhgënjyer nëse nuk i fitojmë të gjithë. Ky rregulli i ri pak a shumë mund të na ndihmojë dhe të jemi më të qetë”, është shprehur Alexander-Arnold.