Sport

Ikona e Bosnjës: Në Pejë t’i tregojmë Borcit se si anohet, tifozët të jenë “kampionë evropianë”

Përvojën e gjatë e shumë të suksesshme në nivelet më të larta të hendbollit, ish-kapiteni i Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, e ka vënë në vitet e fundit në shërbim të kampiones kosovare, Besa Famgas.

Prce vazhdon të jetë prej lojtarëve kryesorë të ekipit pejan, ndërsa ndaj Borcit në Banjallukë, të dielën, ishte më efikasi me shtatë gola. Ndeshja mori nam për shkak të fyerjeve ndaj shqiptarëve nga ana e tifozëve serbë të Borcit, klubit nga Banjalluka, qytetit më të madh të Republika Srpskas, njërit prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Fyerjet e tifozëve serbë nuk janë ndalur asnjë moment, ndërsa ka pasur thirrje edhe për vrasjen e shqiptarëve.

Prce, 41-vjeçar, pranon se i ka përjetuar rëndë fyerjet e tifozëve të Borcit. Por thotë se nuk duhet të veprohet njëjtë në ndeshjen e së dielës, që luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Besa Famgas e humbi ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane me rezultatin 28:25. Të dielën nga ora 18:00 synon fitore më të thellë për të avancuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.

Ka shumë interesim për ndeshjen në Pejë. Nëse do të lejohej numër maksimal i shikuesve, palestra me shumë gjasë do të mbushej. Ndonëse Besa Famgas nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar, ka pak gjasa që të lejohet mbushja e palestrës “Karagaçi” me kapacitet të plotë.

Sipas Prces, e rëndësishme është që Besa të motivohet maksimalisht nga tifozët. Ai thotë se tifozët duhet të jenë “kampionë evropianë” të animit në ndeshjen ndaj ish-kampionit evropian, Borcit.

“Duke shikuar ndeshjen me Borcin, ka pasur shumë gjëra. Nuk dua të them diçka që nuk ka lidhje me sportin. Ai anim dhe ato gjëra. Ndoshta më kanë dhembur më së shumti ato. Ato thirrje nga tribunat dhe ato gjëra. Ishin sjellje që nuk i shkojnë një gjiganti si Borci. Është ish-kampioni i Evropës. Tifozët nuk janë sjellë në mënyrë evropiane dhe nuk ishin sjellje të denja për një klub kampion”, ka thënë Prce të premten mbrëma për KOHËN.

Image

Ai uron që gjërat të dielën të shkojnë në një drejtim tjetër.

“Shpresoj që ekipi im dhe tifozët tanë do të shkojnë në një drejtim tjetër. Do të tregojmë se si duhet të anojmë, si duhet të sillemi si zotëri, si duhet të jesh zotëri. Dhe që nuk do të bëjmë gabime të tilla. Unë nuk do të doja personalisht të bëjmë gabime të tilla. Mendoj që duhet t’i tregojmë ish-kampionit të Evropës se si duhet të anohet. Mendoj se duhet të jemi kampionë evropianë ne me këtë anim këtu në Pejë. Dhe që tifozët tanë ta kalojnë këtë provim. Do të doja të ketë shumë njerëz, por të mos lëshohemi në fyerje, në gjëra të tilla. Të jemi sportivë. Nuk do të doja të ishte si në Banjallukë, do të doja që tifozët të jenë të orientuar drejt përkrahjes ndaj nesh dhe gjërat të shkojnë në atë drejtim, që të na udhëheqin në ndeshje dhe në fund të festojmë së bashku kalimin në raundin tjetër. Ky mendoj se do të ishte kontributi më i madh i tifozëve për ne dhe falënderimi më i madh i yni për ta nëse kalojmë Borcin”, ka shtuar hendbollisti shtatlartë.

Prce për Bosnjën i ka mbi 100 ndeshje e mbi 400 gola të shënuar. E ka udhëhequr përfaqësuesen e Bosnjës drejt sukseseve më të mëdha. Ai është kroat nga Çaplina. Te Besa është prej vitit 2019, ndërsa ka luajtur për skuadra të ndryshme evropiane.

Prce ka thënë se nuk kanë asnjë ankesë për pritjen nga ana e zyrtarëve të Borcit.

“Çdo gjë ishte në rregull. Vetëm animi në palestër nuk ishte në nivelin e shfaqjes sportive. Gjëra të tilla nuk janë të mira për sportin në përgjithësi”, ka thënë ikona e hendbollit në Bosnjë-Hercegovinë.

Sipas bekut me përvojë, shumë gjëra mund ta vendosin sfidën në Pejë. Por ai është optimist se Besa Famgas do të avancojë tutje. Vendimtare mund të jetë përkrahja e shikuesve.

“Shumë gjëra mund të vendosin. Nëse kemi shikues më shumë në palestër, me përkrahjen e tyre do të jetë më e lehtë. Ndonjëherë është e vështirë të arrihet edhe një gol diferencë. Por unë shumë ndeshje kam luajtur në karrierë që i kemi humbur me 7-8 gola dhe më pas jemi kthyer në ndeshjen e dytë. Kur ke 4000-5000 njerëz në sallë, përkrahje të madhe, shumë do të thotë për lojtarët. Nuk ka recetë të thjeshtë që vendos kjo apo ajo. Ne do të luajmë më së miri që është e mundur në atë moment, do të japim më të mirën nga vetja. Duhet të besojmë në vete, dhe si shumicën e kohës në Banjallukë, të luajmë me durim, të luajmë mirë, pa gabime të mëdha. Kemi shumë gjëra në anën tonë dhe jam shumë optimist. Do të doja të kemi tifozët dhe të kemi përkrahje të mirë dhe të mundohemi ta kalojmë Borcin”, ka thënë Prce.

Besës në verë i janë larguar lojtarë të shumtë, si Bujar Ramosaj, Drilon Tahirukaj, Charalampos Mallios, Victor Alonso e Yll Visoka. Besa e ka angazhuar Deniz Terziqin, njërin prej lojtarëve më të mirë në vend, dhe dy alo nga Mali i Zi. Në ndeshjen e parë pos Prces janë dalluar edhe Egzon Gjuka, portieri Mursel Mehmeti dhe Deniz Terziqi.

“Katër-pesë lojtarë na mungojnë nga edicioni i kaluar. Kanë ardhur tre lojtarë të rinj. Mund të them se jemi më të dobët se kampionati i kaluar, por kemi luajtur lojë të mirë në Banjallukë. Kemi luajtur lojë burrërore, por nuk është më e mira që mund të luajmë”, është i bindur hendbollisti me përvojë të jashtëzakonshme. Ai tregon se lojtarët e Besës kanë pasur edhe telashe shëndetësore në ndeshjen e parë.

“Nuk kemi shumë lojtarë në përbërje dhe kjo është problem. Kështu që 7-8 lojtarë është dashur të përballojnë thuajse tërë ndeshjen. Në fund mbetëm pak pa forcë. Rezultati me tri gola dallim sigurisht nuk është i keq. Nuk është i paarritshëm, kemi shanse në ndeshjen e kthimit. Shpresoj që të dielën do të bëjmë punë të madhe, do ta mposhtim Borcin dhe do të kalojmë në raundin tjetër. Na duhet fitore me më shumë se tri gola dallim. Kemi gjasa të mëdha, por nuk bën ta nënçmojmë Borcin. E dimë që është ekip i mirë me histori të pasur. Ish-kampion evropian me shkollë të suksesshme. Do të jetë shumë vështirë, por besoj se kemi forcë ta fitojmë këtë ndeshje”, thotë Nikola Prce.