Në palestrën “Karagaçi” në Pejë ishte qetësi të enjten pasdite. Qetësia prishej vetëm kur trajneri Arben Muqolli u jepte urdhra hendbollistëve të kampiones në fuqi të Kosovës, Besa Famgas.
dhe hendbollistët e klubit pejan shpresojnë që “Karagaçi” të jetë i zhurmshëm të dielën mbrëma. Të dielën nga ora 18:00, Besa e pret Borcin e Banjallukës, në ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të Kupës Evropiane. Te Besa Famgas llogarisin në përkrahjen e shikuesve. Por kërkojnë që animi të jetë korrekt dhe pa fyerje.
Ndeshjen e parë të luajtur të dielën në Banjallukë, Borci e kishte fituar me tri gola dallim. Besës i duhet fitore më e thellë për të avancuar tutje.
Në Banjallukë pati fyerje të vazhdueshme ndaj shqiptarëve dhe kjo ka ngjallur revoltë në Kosovë. Ka shumë interes për ndeshjen e kthimit, përkatësisht për t’u dhënë përkrahje pejanëve.
Lojtarët e Besës ruajtën qetësinë në Banjallukë, përkundër fyerjeve të vazhdueshme. Dhe tani kanë kthyer fokusin te ndeshja e së dielës, me synim për avancim tutje.
Te Besa besojnë se kanë cilësi për ta përmbysur rezultatin.
“Do të doja të kemi sallë të mbushur, por të ketë një përkrahje korrekte për t’u treguar se kemi kulturë dhe jemi një popull me kulturë të madhe e sidomos të mos ketë hedhje të gjësendeve, pasi ne si klub do të dëmtoheshim dhe do të jetë për ne keq”, ka thënë trajneri Arben Muqolli, ikonë e hendbollit kosovar.
Muqolli thotë se janë duke u përgatitur maksimalisht për fitore me më shumë se tri gola dallim.
“Mendoj që kemi një ekip më të mirë dhe është dashur që edhe atje të kemi një rezultat më të mirë, pasi mendoj se nuk ka qenë rezultat real disfata me tri gola dallim. Por, në fund humbëm, ku mendoj se erdhi në shprehje presioni nga publiku në ato pesë minutat e fundit ku ekipi i Besës nuk luajti ashtu siç është dashur, por prapë mendoj se nuk është rezultat i keq. Me një angazhim të plotë këtu dhe ndoshta me kthimin e Kastriot Jupës që nuk ka qenë 100 % i aftë për lojë, e tash besoj se do të jetë, mendoj që do t’ia dalim dhe do të kemi rezultat pozitiv. Do t’ia dalim të kalojmë tutje në xhiron tjetër”, është shprehur Muqolli.
Hendbollistët e skuadrës pejane thonë se do ta japin maksimumin për ta kaluar Borcin.
“Shpresojmë të lejohet numër më i madh i shikuesve dhe me ndihmën e tyre të arrijmë histori. Nga shikuesit kërkoj të mos bëjnë thirrje siç kanë bërë ata, sepse do të na kushtonte neve ashtu siç u ka kushtuar atyre me dënim, por pres nga shikuesit të jenë korrektë në anim dhe të na përkrahin ashtu siç dinë ata për të na ndihmuar për të kaluar tutje”, ka thënë Egzon Gjuka, njëri prej kryesorëve te Besa Famgas.
Besim se Besa ka cilësi për të kaluar në raundin e tretë ka edhe Kastriot Jupa. Jupa thotë se në ndeshjen e parë nuk ka mundur ta japë maksimumin për shkak të një lëndimi, por të dielën do të jetë gati për t’i ndalur hendbollistët e Borcit.
“Na ka motivuar publiku i tyre, pasi kemi pasur një pritje shumë të keqe. Nga minuta e parë jemi fyer, por kjo do të jetë motiv i madh për të kaluar raundin dhe besoj se do t’ia dalim”, ka thënë pivoti Jupa.
Te Besa kanë thënë se pritja nga klubi nikoqir ishte në nivel.
Deniz Terziqi pranon se fyerjet ndaj shqiptarëve kanë qenë të vështira për t’u kapërdirë.
“Jemi të vetëdijshëm për ekipin që e ka Borci, por synimi është ta kthejmë rezultatin për të kaluar tutje. Shpresoj të kemi përkrahje masive për ta kaluar këtë raund. Shpresoj se do të bëjmë paraqitje të mirë duke dhënë maksimumin nga vetja për të kaluar tutje”, ka thënë beku Terziqi.
Besa Famgas për herë të tretë luan ndaj Borcit në gara kontinentale. Krahas Besës, në gara evropiane sivjet Kosovën e kanë përfaqësuar edhe gjashtë ekipe të hendbollit.