Portieri i klubit të futbollit 2 Korriku, Flamur Neziri, ka thënë se nënkampioni i Kosovës, Drita, nëse hyn me qetësi në lojën e kthimit ndaj Deçiqit në Ligën e Konferencës, do të kalojë tutje pa problem.
Drita të enjten fitoi 2:1 në Prishtinë, ndërsa sipas Nezirit po që se hyn me qetësi në Mal të Zi, ajo do të fitojë edhe ndeshjen e dytë.
“Duke marrë kualitetet e Dritës dhe trajnerin e mirë me lojë më ndryshe mendoj që ajo nëse hyn në ndeshje me Deçiqin e qetë.... Me tregim të pjekurisë do të fitojë ndeshjen më lehtë në Deçiq”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Ndërkaq, mesfushori i ri i Malishevës, Mërgim Pefqeli, ka thënë se skuadra tjetër kosovare, Llapi, pavarësisht humbjes 2:0 nga Shkupi, në ndeshjen e kthimit mund të shkaktojë befasi.
Sipas tij, kjo do të varet nga trajneri Tahir Batatina.
“Mendoj se mund të ndodhë që Llapi mund ta kthejë lojën. Me euforinë dhe besimin që ka trajneri besoj se mund t’i bëjë ballë apo ta rikthejë lojën”, ka thënë ai.
Ndërkaq të dy janë shprehur pesimistë se Prishtina do të arrijë të bëjë diçka pas humbjes 3:0 nga Ferencvaroshi në kuadër të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.