Sport

Llapi nuk shpreh shumë optimizëm, Drita kërkon fitore edhe në Mal të Zi

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ishte goxha optimist javën e kaluar në konferencën për media të organizuar në Shkup, një ditë para ndeshjes debutuese në Ligën e Konferencës kundër Shkupit. Pati thënë se ka respekt për Shkupin, ekip të cilit do t’i tregojë se si luhet futbolli. Madje, frikë pati theksuar se nuk ka as ndaj Tottenhamit e as ndonjë ekipi tjetër në Evropë. Por, Batatina të mërkurën ka qenë më i kujdesshëm para ndeshjes së kthimit. Llapi e humbi ndeshjen e parë në Shkup 2:0, ndërsa të enjten prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e luan duelin e kthimit. Trajneri Batatina ka thënë të mërkurën për KOHËN se nuk do ta kenë aspak të lehtë ta kthejnë rezultatin. Ai ka pranuar se Shkupi ka përvojë më të madhe se skuadra e tij.

“Jemi përgatitur dhe nuk do ta kemi të lehtë, sepse Shkupi ka eksperiencën e vet në Evropë me vite, por ne do të angazhohemi maksimalisht për ta shfaqur një lojë të mirë dhe që t’i kënaqim tifozët në tribuna me angazhim maksimal. Luajmë para publikut tonë pas një kohe të gjatë. Nëse kalojmë tutje do të jetë sukses i përbashkët, jo vetëm i klubit Llapi dhe lojtarëve të mi”, ka thënë Batatina.

Ai pret ndihmë të madhe nga shikuesit që për herë të parë pas më shumë se një viti e gjysmë do të kthehen në tribuna për ta përcjellë një ndeshje sportive. Për fituesin e Kupës së Kosovës, Llapin, ky është edicioni i parë që paraqitet në garat evropiane, kurse për Shkupin hera e katërt. Për ndeshjen me Llapin, Shkupi ka prezantuar dy futbollistë të rinj - Waild Hamidi dhe Mouhamadou Souahibou Barry.

“Më bën të lumtur të luaj në këtë klub dhe ambiciet e mia janë që ta ndihmoj këtë skuadër gjatë garave evropiane dhe më shumë”, tha Barry për faqen zyrtare të klubit.

Ndërkohë, rezultat më të favorshëm se të Llapit ka Drita e Gjilanit. Nënkampionia e Kosovës e ka mposhtur skuadrën shqiptare të Malit të Zi, Deçiqin, me rezultatin 2:1 në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Me të njëjtin synim thonë se do të paraqiten edhe në Mal të Zi. Ndeshja e kthimit mes Deçiqit dhe Dritës do të luhet të enjten prej orës 20:45 në Podgoricë. Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, thotë se ndaj Deçiqit do të futen për ta fituar ndeshjen, pasi bazohet në cilësinë që ka skuadra nga Gjilani.

“Tani kemi një pasqyrë më të pastër për kundërshtarin dhe kemi idetë tona se si të paraqitemi ndaj tyre. Do të jetë një ndeshje me shumë luftë në fushë dhe duhet të jemi të zgjuar e të dimë ta menaxhojmë rezultatin nga ndeshja e parë. Kjo nuk do të thotë që do të mbrohemi, por do të krijojmë raste dhe do t’i kemi mundësitë tona që të shënojmë – sidomos nga kundërsulmet. Pra, do të hyjmë për ta fituar ndeshjen, sepse besojmë që kemi skuadër me kualitetin e duhur”, ka thënë Limani për KOHËN.

Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës garën do ta vazhdojë Prishtina, që u eliminua të martën nga raundi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve. Në këtë raund garash marrin pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Teuta e Durrësit, e po ashtu edhe ajo e Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës.