Hendbollistet e Vushtrrisë kanë barazuar në 1:1 rezultatin në serinë finale të plejofit në Superligën e Kosovës. Të martën pasdite në palestrën “Jeton Tërstena – Tota”, Vushtrria fitoi ndaj Istogut me rezultatin 24:23.
Golin vendimtar e shënoi Lorena Matarova nga penalltia. Ndeshja ishte e fortë dhe e barabartë. Herë njëra e herë skuadra tjetër ishin në epërsi të ngushtë. Aksionet e fundit vendosen fituesin, ndërsa më të koncentruara ishin lojtaret vendase.
Për Istogun ishte humbja e parë pas 25 fitoreve rresht në kampionat. Istogu e kishte fituar bindshëm ndeshjen e parë finale, ndërsa do të jetë nikoqir edhe i finales së tretë dhe vendimtare, që do të luhet në fundjavë.