Sport

Ponte Prizreni vazhdon me fitore

Ponte Prizreni ka forcuar pozitën e parë në Superligën e Kosovës në basketboll pasi ka vazhduar me fitore edhe në xhiron e 24-të.

Ekipi prizrenas të enjten triumfoi në udhëtim ndaj Pejës me rezultatin e thellë 115:97.

Me këtë fitore, Ponte Prizreni mbetet i pari në tabelë me 41 pikë të mbledhura, dy më shumë se Golden Eagle Ylli e Rahoveci që renditen në pozitën e dytë, përkatësisht të tretë. Ndërkohë, Peja që regjistroi humbjen e gjashtë rresht në kampionat mbetet në pozitën e katërt në tabelë me 36 pikë të mbledhura.

Divine Myles ishte më i dalluari te Ponte Prizreni, me 31 pikë e tetë asistime derisa me lojë të mirë, u veçuan edhe Kwame Vaughn (23), Urim Zenelaj (21) e Arti Hajdari (18).

Te Peja, në këtë ndeshje u rikthye nga lëndimi Dardan Berisha që e pati rolin e lojtarit dhe trajnerit. Ai ishte më efikasi me 26 pikë të shënuara, i përcjellë nga Lis Shoshi që regjistroi “double-double” prej 25 pikëve e 10 kërcimeve. Për Shoshin, kjo ishte ndeshja e parë pas më shumë se një viti mungesë për shkak të lëndimit.