Synimi i nënkampionit të Kosovës në futboll, Gjilanit, për këtë edicion që ishte dalja në Evropë, tani duket një mision i pamundur. Këtë e ka pranuar edhe trajneri i ri i Gjilanit, Ismet Munishi. Munishi të premten ka marrë drejtimin e Gjilanit pas largimit të Bylbyl Sokolit, i cili dha dorëheqje nga ky post për shkak të rezultateve të dobëta. Gjilani aktualisht zë vendin e katërt në tabelë me 33 pikë të mbledhura, 20 më pak se Drita që është lidere e Superligës. Ndërsa për të siguruar daljen në Evropë, Gjilanit i duhet që edicionin ta përfundojë në pozitën e dytë, të cilën aktualisht e mbanë Ballkani me 51 pikë, derisa Prishtina është e treta me 50 pikë të mbledhura. Munishi, i cili do të debutojë të dielën në ndeshjen kundër Trepçës ’89, është trajneri i tretë te Gjilani që edicionin e nisi me Gentjan Mezanin. Gjilani këtë edicion u paraqit për herë të parë në histori të klubit në garat evropiane, por u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës.
“Realisht, vetëm një çudi nëse do të ndodhte, sepse në të kundërtën nuk mundemi të pretendojmë daljen në Evropë”, ka pranuar Munishi, i cili në pjesën vjeshtore të këtij edicioni ishte trajner i Ballkanit. “Megjithatë, ne do të punojmë për të krijuar një identitet të lojës, të cilin do ta kërkoj edhe vitin tjetër me pak ndryshime. Synimi është të rrisim konkurrencën për të pasur suksese”.
Në stinorin pranveror të Superligës, skuadra e Gjilanit nuk di për fitore. Ka katër barazime dhe dy humbje në gjashtë ndeshje të zhvilluara kampionale, derisa vitin e ka nisur me eliminim nga 1/8 e finales të Kupës së Kosovës prej Istogut, ekip që bën gara në Ligën e Parë. Munishi ka thënë se Gjilani nuk do të dorëzohet, por do të luftojë deri në fund për një pozitë sa më të mirë në tabelë.
“Tash nuk do të bëj shumë intervenime në lojë, do ta kërkoj identitetin e ekipit gjatë pushimit që do ta kemi për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Në këtë fazë është e pamundur të bëjmë diçka, por do të punoj maksimalisht për të nxjerrë më të mirën nga ekipi”, u shpreh Munishi. “Edhe pse nuk është kohë e përshtatshme, por unë kam besim në futbollistët dhe pres që së bashku të dalim nga kjo situatë”.
Munishi ka thënë se pretendimet e tij me Gjilanin shkojnë përtej këtij edicioni. Në fakt, ai ka insistuar se beson se Gjilani gjithmonë duhet të jetë në pjesën e epërme të tabelës për shkak të organizimit të mirë që ka, falë një kryetari korrekt si Florim Zuka.
“Gjilani e meriton të jetë në krye të tabelës dhe për këtë do të luftoj fort. Pretendimet e mia janë të mëdha, që Gjilani ta dominojë jo vetëm futbollin e Kosovës, por edhe më gjerë”, ka thënë Munishi.