Manchester, 25 janar (Sky Sports) – Bruno Fernandes vlerëson se nuk ka nevojë të pushojë nga ndeshjet. Mesfushori portugez i Manchester Unitedit u zotua se do të luftojë deri në fund të këtij edicioni për trofe.
Kjo javë sjell edhe përvjetorin e transferimit të Fernandesit, i cili kaloi në “Old Trafford” nga skuadra e Sportingut të Lisbonës për 60 milionë euro dëmshpërblim. Prej ardhjes së mesfushorit portugez, Manchester Unitedi ka ndryshuar dhe është bërë ekip që po lufton për trofe.
Në fakt Unitedi është në krye të tabelës në Premier League pas 19 ndeshjeve të zhvilluara. Asnjë lojtar nuk ka shënuar më shumë gola për një klub të Premier League sesa Fernandes që nga debutimi i tij. 26-vjeçari të dielën shënoi golin e tij të 28-të për Manchesterin, kur realizoi nga gjuajtja e lirë për rezultatin 3:2, me të cilin e mposhti dhe eliminoi Liverpoolin në raundin e pestë të Kupës FA. Në këtë ndeshje Fernandes u fut nga banka e rezervistëve, por portugezi e mbështeti trajnerin e tij, Ole Gunnar Solskjear, pasi tekniku norvegjez hodhi poshtë sugjerimet se atij i duhet pushim.
“I lodhur? Me 26 vjet nuk mund të lodhem!”, insistoi Fernandes. “Nëse jam i lodhur tani, kur të arrij në moshën 30 apo 32-vjeçare, atëherë nuk do të luaj. Unë aspak nuk jam i lodhur edhe pse trajneri e di se çfarë është më mirë për ekipin. Ai e di pse më la në bankë dhe vendosi të luante me Donnyn për t'i dhënë një freski ekipit”.
Triumfi i Manchesterit ndaj Liverpoolit do të thotë se ekipi i Solskjaerit po synon trofe këtë edicion në tri gara. Krahas Kupës FA, Manchesteri është në garë për trofe edhe në Ligën e Evropës dhe Premier League. Për Fernandesin, i cili është shpallur katër herë futbollisti më i mirë i muajit në ligë, kjo është normale. Ai pret që Manchester Unitedi të luftojë në tri fronte për trofe dhe beson se në fund do të fitojë ndonjërin prej tyre. Madje Fernandes thotë se ka një mentalitet fituesi dhe për këtë arsye është transferuar te Manchester Unitedi, ekip që gjithmonë ka synim trofetë.
“Unë erdha në klub, sepse e dija që do të vija në një mjedis që dëshiron të fitojë gjithçka dhe mentaliteti im në futboll gjithmonë ka të bëjë me fitoren”, insistoi Fernandes. “Dhe kështu duhet të jetë sigurisht edhe këtë sezon. Fillimisht unë u besoj bashkëlojtarëve dhe pastaj vetes. Dhe do të vazhdoj të besoj se mund të fitojmë trofe derisa të mos jetë e mundur. Vetëm kur te shoh dikë që e mori trofeun para meje, atëherë do ta humb besimin. Përndryshe do të vazhdoj deri në fund dhe nuk do të dorëzohem”.
Mentaliteti fitues i Fernandesit është i qartë dhe ushqehet nga urrejtja e tij për të humbur.
"Unë gjithmonë kam qenë kështu”, tha ai. “Nuk më pëlqen të humbas, kështu që mendoj se ndoshta mentaliteti është më shumë sikur nuk më pëlqen të jem humbës. Unë nuk jam në pajtim me humbjen e ndeshjeve dhe për mua është diçka normale. Për mua humbja nuk është normale, kështu që mentaliteti im vjen nga kjo”.
Fernandes tregon se edhe kur luan me shokët e tij nuk ka dëshirë të humbasë. Mesfushori 26-vjeçar këtë sezon ka 16 gola e dhjetë asistime në 29 ndeshje në të gjitha garat.