Ndeshja ndërmjet Barcelonës dhe Prishtinës hap 1/16 e finales të Ligës së Kampionëve në futsal (futboll të sallës). Kjo ndeshje luhet të premten nga ora 18:30 në “Palau Blaugrana” në Barcelonë.
Barcelona është kampione në fuqi e Ligës së Kampionëve, ndërsa kampionia kosovare, Prishtina, debuton në Champions.
Për shkak të pandemisë ka ndryshuar formati i garave. Në raundin preliminar Prishtina fitoi 3:0 ndaj Tiranës, më 25 nëntor. Ndërkohë Barcelona nis mbrojtjen e titullit prej 1/16 së finales. Natyrisht, është favorite absolute ndaj Prishtinës.
Skuadra prishtinase të enjten ka udhëtuar për në Barcelonë, ndërsa lojtarët e saj kanë premtuar maksimumin, duke pranuar forcën e Barçës.
Te Barcelona e kanë marrë ndeshjen ndaj Prishtinës me shumë seriozitet. Drejtuesit e klubit e dinë se Prishtina do të jetë maksimalisht e motivuar. Barcelona në tetor ka fituar Championsin për edicionin e kaluar. Barcelonës i mungojnë katër lojtarë në ndeshjen ndaj Prishtinës.
“Ka të bëjë me respektimin e kundërshtarit, të garës dhe vetes sonë”, ka thënë portieri Miquel Feixas.
“Këtë vit gara ka format atraktiv dhe është mëkat që tifozët tanë nuk do të jenë të pranishëm, pasi nuk kemi shumë mundësi të luajmë ndeshje të Championsit në Palau”, ka thënë trajneri Andreu Plaza.
Ndeshjet e tjera të kësaj faze luhen të shtunën.