Barcelonë, 12 janar – Te Barcelona kanë pranuar se synimi kryesor për këtë edicion është të mbrojnë titullin në Ligën e Kampionëve në futsal (futboll të sallës). Por te skuadra e madhe spanjolle ndeshjet i marrin një nga një. Dhe fillimisht janë duke menduar për ndeshjen ndaj Prishtinës.
Ekipi i futsalit i Barcelonës, që është pjesë e klubit të madh bask, më 11 tetor e fitoi titullin në Champions, duke fituar 2:1 ndaj ElPozo. Ndeshja ishte luajtur në “Palau Blaugrana”, ku të premten Barcelona paraqitet sërish. Përballë Barcelonës të premten, nga ora 18:30, do të jetë kampionia e Kosovës, Prishtina.
Ndeshja i takon 1/16 të finales të Ligës së Kampionëve. Barcelona e nis mbrojtjen e titullit nga kjo fazë. Prishtina në raundin preliminar kishte fituar 3:0 ndaj Tiranës më 25 nëntor në Pallatin e Rinisë. Kështu siguroi ndeshjen e luksit ndaj Barçës.
Barcelona natyrisht është favorite absolute në ndeshjen e së premtes. Është prej klubeve më të mëdha në Evropë. Ka tre tituj të Championsit, katër tituj të Spanjës dhe shtatë Kupa të Spanjës.
Edicioni aktual është i 35-ti i garës evropiane të klubeve në futsal dhe i 20-i i organizuar nga UEFA. Është edicioni i tretë prejse UEFA Futsal Cup u shndërrua në UEFA Futsal Champions League.
Në Spanjë ditë më parë është pezulluar ndeshja e Superkupës dhe te Barcelona e kanë vlerësuar vendimin të drejtë. Tani te klubi i madh po mendojnë për ndeshjen ndaj Prishtinës.
“Ne jemi shumë të entuziazmuar që fillojmë mbrojtjen e titullin. Championsi për ne është titulli më i rëndësishëm i stinorit, qershia mbi tortë. Është mëkat që do të jemi pa tifozë në tribuna tani, pasi luajmë ndeshje kualifikuese në shtëpi”, ka thënë për sajtin zyrtar të klubit, Txus Lahoz, menaxher i futsalit te Barcelona.
Edhe
Barcelona e Prishtina hapin raundin në Champions
“Synimi është të luajmë sërish në finale. Por ne duhet të respektojmë secilin rival dhe të shkojmë nga raundi në raund”, ka shtuar Lahoz, që ka konfirmuar se Barcelona e synon titullin e dytë rresht.
Së fundi Barcelona është nominuar në pesë kategori për çmimet më prestigjioze të futsalit për vitin 2020. Për çmimin e lojtarit më të mirë konkurrojnë Ferrao e Lozano. Didac Plana është kandidat për çmimin e portierit më të mirë, Andreu Plaza për çmimin e trajnerit më të mirë, kurse Barcelona është favorite në garën për çmimin e klubit më të mirë.
Prishtina të enjten udhëton për në Barcelonë, për të luajtur ndeshjen më të madhe të saj.