Sport

Nis gara për kreun e FBK-së, Gashi pritet të jetë konkurrent i kryetarit aktual

Klubi i basketbollit Peja ka njoftuar të martën se dy ditë më parë ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, në të cilin Fatmir Gashi është zgjedhur kryetar i klubit. Gashi është emër i njohur në basketbollin kosovar. Më herët e ka drejtuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), nga viti 2010 e deri në vitin 2013. Pejën e ka drejtuar në disa periudha.

I pari i Pejës, Gashi, pretendon të marrë sërish drejtimin e FBK-së, një prej federatave më të mëdha sportive në vend. Burime të KOHËS kanë bërë të ditur se ai tashmë ka nisur punën për të siguruar votat që i duhen. Gashi është takuar me drejtues të klubeve në të paktën një komunë.

Peja aktualisht është prej klubeve kryesore në vend. Ndonëse ka pasur periudhë me shumë vështirësi, një kohë edhe jashtë garave, Peja është kthyer fuqishëm duke fituar Kupën e Kosovës më herët këtë vit.

Kuvendi Zgjedhor pritet të mbahet këtë muaj. Kryetari aktual, Arben Fetahu do të kërkojë një mandat të ri, por rival të fortë do ta ketë Gashin. Në FBK shpesh gara për kryetar ka qenë e ngushtë. Është vendosur për pak vota. Jo rrallë kuvendarët edhe kanë ndryshuar qëndrim në momente të fundit, përkatësisht pak para votimit.

“Po diskutohet që zgjedhjet do të mbahen gjatë këtij muaji. Është më se e sigurt se kandidat do të jetë Fatmir Gashi, që tashmë ka nisur takimet me klubet për të siguruar votat”, ka thënë një burim i KOHËS, i afërt me FBK-në.

Posti i kryetarit të FBK-së është goxha i lakmuar në komunitetin e basketbollit. Një pjesë e klubeve vlerësojnë punën që e ka bërë Fetahu dhe bordi që ai drejton, por ka edhe klube të pakënaqura. Në të vërtetë është një grup thuajse i njëjtë që kohë të gjatë përbën opozitën e udhëheqjes aktuale.

Një prej kritikëve të punës që po e bën FBK-ja është Alban Lumi, ish-anëtar i Bordit të FBK-së. Lumi të hënën përmes një postimi në “Facebook” ka lëshuar kritika të shumta për drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Sipas Lumit, është koha për ndryshime në FBK.

“Borxhe, rezultate dëshpëruese të përfaqësueses, më shumë në nxjerrjen e lojtarëve të rinj sesa të bilancit në ndeshje, rënie drastike e nivelit të lojës në kampionatin vendor, interesimit të investitorëve. Kjo udhëheqje do të mbahet mend edhe për vendimet skandaloze të marra në mënyrë arbitrare”, ka shkruar Lumi, ndër të tjera. “Është koha e fundit që kryetari i FBK-së, i cili vetëm lider nuk është, të lëshojë rrugë”.

Akuzat e bëra nga Lumi janë hedhur poshtë nga sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll së fundi humbi me rezultat të lartë dy ndeshje të raundit të parë të parakualifikimeve për Botëror. Në to doli në pah mungesa e lojtarëve të mjaftueshëm, si shumë herë deri më tani. Klubet e basketbollit kanë hequr dorë këtë edicion nga garat evropiane, ndërsa nuk pranuan të luajnë në Ligën Ballkanike. Me pompozitet është folur për Ligën Unike, që ka mbetur pezull për shkak të masave anti-COVID në Shqipëri.

Por interesimi për basketboll vazhdon të jetë i madh në vend. Shumë të rinj vendosin për karrierë në këtë sport. Klubet vazhdojnë të sjellin lojtarë të huaj, ndonëse jo të nivelit më të lartë dhe liga vlerësohet me rivalitet.

“Të gjitha raportet financiare dhe raportet e punës kanë kaluar me shumicë votash në kuvendin e rregullt që e kemi mbajtur në muajin shkurt. Edhe raportet e përfaqësueseve po ashtu janë votuar me shumicë votash nga kuvendarët që ishin të pranishëm. Ne i kemi dhënë edhe të gjitha sqarimet për të gjitha pyetjet që kanë pasur, madje edhe për borxhet që i kemi, të cilat nuk i kemi fshehur asnjëherë. Ato borxhe janë akumuluar për shkak të vonesave të sponsorëve dhe qeverisë, kurse ne vazhdimisht kemi punuar për t’i ulur. Asgjë nuk është e fshehur dhe të gjitha detajet janë në raportin e auditorit”, ka thënë Elvira Dushku, duke u përgjigjur në akuzat publike të Alban Lumit.

“Sa i përket Përfaqësueses A, këtë herë i kishim katër mungesa të rëndësishme në ekip, përfshirë edhe Dardan Berishën që është lojtari kryesor. Federata normalisht i merr përgjegjësitë dhe do të raportojë edhe për këto rezultate. Mungesa e nxjerrjes së lojtarëve të rinj lidhet kryesisht me klubet dhe trajnerët. Klubet vazhdimisht angazhojnë trajnerë të huaj, të cilët nuk janë të interesuar të nxjerrin lojtarë apo trajnerë vendorë”, ka shtuar Dushku.

Ajo ka folur edhe për mundësinë që në FBK të ketë zgjedhje.

“Bordi i FBK-së do të mblidhet së shpejti dhe do të vendosë për çështjen e kuvendit zgjedhor. Kemi kërkuar nga klubet që të mbajnë kuvendet e tyre zgjedhore paraprakisht dhe deri më tani nuk është numri i kënaqshëm i organizimit të kuvendeve dhe po presim të bëjmë një raport të detajuar dhe në bazë të asaj mund të shkojmë në përgatitje të kuvendit zgjedhor”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

Zgjedhjet po i pret Fatmir Gashi. Ai për KOHËN e ka lënë të hapur mundësinë që të paraqesë kandidaturën.

“Zgjedhje do të ketë dhe atë të rregullta, me vonesë për shkaqe të pandemisë që ka bërë të shtyhen. Është e mundur që të kandidoj, por ende nuk kam vendosur nëse do të kandidohem”, ka thënë Gashi.