Sport

Peja ka dyshime për edicionin e ri, lë pezull pjesëmarrjen

Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë thënë se të gjitha klubet e Superligës tashmë janë paraqitur për të garuar në sezonin 2020/21, që nis në mesin e muajit të ardhshëm, por kanë pranuar se pjesëmarrja e KB Pejës mbetet në dyshim.

Drejtuesit e Pejës kanë kërkuar më shumë kohë për të konfirmuar pjesëmarrjen në gara, pavarësisht se paraqitjen e kanë bërë.

Për më tepër, Peja është një prej katër klubeve që janë nominuar nga FBK-ja për të marrë pjesë në Ligën Unike me Shqipërinë, projekt i ri ky për të cilin marrëveshja do të firmoset të enjten në Tiranë. Krahas Pejës janë përzgjedhur nga Federata edhe Sigal Prishtina, Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli.

Megjithatë te Peja kanë dyshime në lidhje me edicionin e ri, për shumë arsye. Kryetari i klubit, Art Gashi, të martën ka thënë se vetë procesi i paraqitjes është më shumë teknik.

“Paraqitja e ekipit është vetëm çështje teknike, pasi janë disa gjëra tjera që na shqetësojnë përpara se të jemi të sigurt për pjesëmarrje në edicionin e ri, duke pasur parasysh se pandemia ka ndikuar dukshëm jo vetëm në sport, por në çdo sferë të jetës”, ka thënë Gashi për KOHËN. “Duhet ta kemi parasysh se si janë paraparë ndeshjet e edicionit të ri dhe cilat janë me saktësi udhëzimet që duhet ndjekur dhe përshtatur, sepse nuk do të jetë aspak lehtë”.

KB Peja u kthye në gara edicionin e shkuar pas një viti pauzë dhe arriti ta fitojë Kupën e Kosovës, trofeun e vetëm të sezonit që u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit. FBK-ja më 31 mars mori vendim për ndërprerjen e garave pa shpallur kampionët. Turneu i Kupës ishte luajtur më herët.

Fillimi i edicionit të ri është shtyrë për një muaj pasi klubet po përballen me telashe të mëdha. Madje shumica nuk kanë bërë asnjë hap drejt organizimit për kampionatin e ardhshëm. Është paraparë që kampionati të nisë më 14 tetor, por ekipet ende nuk kanë filluar më stërvitje, ndër të tjera, edhe për shkak të masave të Qeverisë së Kosovës për të parandaluar përhapjen e virusit.

Sipas Gashit, nëse klubeve u kërkohet që para çdo ndeshjeje t’iu nënshtrohen testimeve për koronavirus, atëherë do të jetë shumë vështirë për të gjitha ekipet. Gashi thotë se çmimet aktuale për teste në Kosovë janë shumë të larta dhe të papërballueshme për ekipet, nëse do të duhej të paguanin para çdo ndeshje. Ai është skeptik edhe për situatën nëse dikush prej lojtarëve do të rezultojë pozitiv. Gashi ka drojë se brenda një kohe të shkurtër mund të infektohen edhe të tjerët për shkak se basketbolli luhet në ambient të mbyllur dhe kontakti është i pashmangshëm.