Edicionin e fundit në basketbollin e Kosovës, që u ndërpre shkaku i përhapjes së COVID-19, Peja e mbylli me trofeun e vetëm – Kupën e Kosovës.
Me trofe te Peja po synojnë ta nisin edicionin 2020/21 që do të hapet me Superkupën e Kosovës. Superkupa, që zakonisht është një ndeshje gati reviale, këtë herë do të mbahet në formë turneu, në prag të edicionit të ri të Superligës që starton më 28 tetor.
Turneu i Superkupës do të nisë të mërkurën (sot) dhe do të mbahet në katër qytete të Kosovës, Gjakovë, Prizren, Suharekë e Pejë. Turneu do të mbyllet me ndeshjet finale në të dy konkurrencat, që do të zhvillohen të dielën (25 tetor) në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Në fakt, Federata e Basketbollit të Kosovës këtë javë e ka quajtur si “Java e Superkupës” pasi kthehen ndeshjet e basketbollit pas një pauze të detyruar prej shtatë muajve. Javën e shkuar u zhvilluan ndeshjet e para, ato të plejautit, që paralajmëruan rikthimin e basketbollit, sportit të vetëm kolektiv në Kosovë që u ndërpre më 31 mars pa u shpallur kampionët.
Ndeshjen e parë në kuadër të Superkupës Peja e luan të enjten ku përballet me skuadrën e Bashkimit në kuadër të Grupit D. Kjo ndeshje nis në orën 19:30, kurse në të njëjtën ditë, por prej orës 17:00 zhvillohet dueli ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Ponte Prizrenit (Grupit C). Ndeshjet e këtyre grupeve do të luhen në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit, kurse fituesit do të përballen në gjysmëfinale. Basketbollisti i Pejës, Drilon Hajrizi, beson se ekipi pejan ka potencial për t’i shkuar deri në fund këtij turneu, përkundër organizimit të vonshëm. Peja deri në momentet e fundit e kishte në dyshim pjesëmarrjen për edicionin e ri shkaku i problemeve të mëdha financiare që ia shkaktoi pandemia. Një mobilizim i vonshëm te klubi pejan bëri që krahas Hajrizit në klub të mbetet edhe Dardan Berisha dhe shumica prej vendorëve të edicionit të kaluar. Peja angazhoi tre të huaj – Sedin Karavdiq, Amel Kuljuhoviq e Robert Cartwright.
“Jemi kompletuar shumë vonë dhe kjo është një mangësi tek ekipi ynë por besoj se do të tregojmë se jemi të gatshëm për sezonin e ri pas një periudhe të gjatë. Cilësia është shumë e madhe në ekipin tonë dhe pres ta dëshmojmë. Mirëpo, e mira e gjithë kësaj është se nuk kemi presion nga ana e klubit për suksese”, është shprehur Hajrizi. “Megjithatë ne premtojmë angazhim maksimal qysh në ndeshjen e parë dhe kur ka një angazhim të tillë atëherë as rezultatet nuk mungojnë. E rëndësishme është se basketbolli po kthehet në Kosovë dhe pres të jetë një sezon interesant”.