Edicioni 2023/24 i Superligës së Kosovës në basketboll do të startojë të premten. Ndeshja hapëse e edicionit të ri është ajo ndërmjet Pejës dhe Vëllaznimit. Kjo përballje luhet të premten prej orës 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Me ndeshjen në shtëpi skuadra e Pejës e fillon mbrojtjen e titullit të kampionit këtë edicion pas suksesit edicionin e shkuar. Të dyja skuadrat janë përforcuar për edicionin e ri, por Peja llogaritet favorite duke pasur parasysh se në turneun e Superkupës që u zhvillua javën e shkuar arriti deri në finale.
Ndërkohë Vëllaznimi u eliminua në çerekfinale. Tri ndeshjet e tjera të xhiros së parë të elitës së basketbollit kosovar do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën. Të shtunën në program janë dy ndeshje: Istogu – Trepça, që nis në orën 17:00 dhe Sigal Prishtina – Prizreni, që luhet prej orës 19:00.
Kjo xhiro do të mbyllet të dielën me duelin mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, që luhet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë dhe nis në orën 17:00.