Basketboll

Gashi largohet nga angazhimi te GO+ Peja

Art Gashi

Pas telasheve të shumta që patën zyrtarët e klubit GO+ Peja me tifo-grupin “UCF”, ka ardhur edhe dorëheqja e parë e një zyrtari.

Art Gashi, djali i kryetarit të klubit, Fatmir Gashit, të shtunën është përshëndetur nëpërmjet një letre të gjatë, të publikuar nga skuadra pejane.

Tifo-grupi “UCF”, në shenjë pakënaqësie për rezultatet dhe udhëheqjen e ekipit, kishin kërkuar shkarkimin e Art Gashit, Elvidon Camajt, Arbër Hashit dhe Ervin Muharemit, nga pozitat udhëheqëse të klubit.

Dhe kështu ndodhi të shtunën.

“Sot me zemër të rëndë por me mendje të qartë, kam marrë vendimin të jap dorëheqje nga roli im në KB Peja, pas rezultateve të fundit dhe edhe si përgjigje ndaj zërit të tifozëve, të cilin gjithmonë e kam respektuar”, shkruan ndër të tjera në letrën e Art Gashit.

Ndërkohë, klubi pejan e ka falënderuar Gashin për kontributin e dhënë ndër vite.

“Që nga viti 2011, Art Gashi ka qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë, duke dhënë maksimumin për ngjyrat e klubit dhe për krenarinë e qytetit të Pejës. Angazhimi i tij, dashuria për klubin dhe respekti ndaj tifozëve do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së KB Pejës. I urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tij të ardhshëm dhe e falënderojmë për gjithçka”, ka shkruar GO+ Peja.