Sport

Fetahu pa kundërkandidat, Fatmir Gashi nuk kandidon për kryetar të FBK-së

Një ditë para mbylljes së afatit për t’i dorëzuar nominimet për kryetar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Fatmir Gashi, që pritej të ishte kundërkandidat i Arben Fetahut në kuvendin e rregullt zgjedhor që do të mbahet më 18 dhjetor, ka bërë të ditur se ka hequr dorë nga kandidimi.

Gashi, që është kryetar i KB Pejës, ka konfirmuar të enjten për KOHËN se nuk do të kandidohet. Ai ka thënë se me gjithë kërkesat dhe nominimet që i ka pasur për t’iu futur garës për kreun e FBK-së, ka vendosur të tërhiqet pas një analize që e ka bërë.

Sipas tij, arsyeja kryesore është se basketbolli ka nevojë për përkrahje dhe shtyrje të përbashkët, e jo për përçarje. Ndonëse nuk do të kandidojë për kreun e FBK-së, Gashi ka insistuar se do të vazhdojë të mbetet përkrahës i madh i basketbollit në Kosovë.

Gashi, për një periudhë, ishte kryetar i FBK-së (2010-2013), por nuk e çoi mandatin deri në fund pasi dha dorëheqje pas marrjes së postit si zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Jo, nuk do të kandidoj për kryetar të FBK-së. Kam pasur kërkesa nga disa anëtarë të FBK-së, por pas analizimit së situatës kam vendosur të mos kandidoj”, ka thënë Gashi të enjten. “I kam pasur edhe nominimet dhe pastaj kam kërkuar nga ata që më përkrahnin të mos i dorëzojnë ato, sepse mora vendimin të mos kandidohem. Arsyeja kryesore e tërheqjes time ka qenë që të mos vijë deri te ndarjet në mes të anëtarëve dhe harmonisë në FBK. Krejt çka duhet tani është shtyrja e basketbollit përpara dhe postet janë në rend të dytë. Unë do të vazhdoj të mbetem fuqishëm përkrahës i basketbollit në Pejë dhe Kosovë. Mendoj se ka ardhur koha të veprojmë së bashku”.

Më tërheqjen e Gashit nga gara, kryetari aktual i FBK-së, Arben Fetahu, nuk pritet të ketë kundërkandidat në kuvendin e rregullt zgjedhor që mbahet javën tjetër. Fetahu ka konfirmuar kandidaturën e tij dhe tashmë ka deponuar nominimet e nevojshme në FBK.

Për të kandiduar për postin e kryetarit të FBK-së kandidatët duhet të deponojnë të paktën shtatë nominime dhe afati për këtë do të mbyllet të premten në orën 16:00, ka njoftuar Federata gjatë javës së shkuar.

Fetahu është në krye të FBK-së që nga viti 2018, duke e vazhduar mandatin e lënë në gjysmë nga Erolld Belegu. Ai, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, të martën ka konfirmuar se do të kandidohet për mandatin katërvjeçar (2020-2024).

“Qe dje veç është konfirmuar, falë përkrahjes së anëtarëve të Federatës, se unë do të jem kandidat për kryetar të FBK-së për mandatin e ardhshëm olimpik. Prandaj, më 18 dhjetor 2020, do të shpalos para delegatëve të Kuvendit të FBK-së programin dhe strategjinë zhvillimore për katërvjeçarin e ardhshëm dhe do të kërkoj besimin e tyre për ta shtyrë basketbollin e Kosovës drejt dimensioneve të reja. Na priftë e mbara!”, ka shkruar ndër të tjera Fetahu, i cili në fakt është nominuar nga klubet.

Edhe në FBK e kanë pranuar se i vetmi kandidat aktualisht është Fetahu, që tashmë ka dorëzuar nominimet. Në FBK thonë se janë në pritje të kandidatëve të tjerë eventualë. Nëse nuk paraqitet ndonjë kandidat tjetër, në FBK kanë thënë se Fetahu mund të zgjidhet në krye të këtij institucioni edhe pa kundërkandidat.

“Ne jemi në pritje të nominimeve deri të premten në orën 16:00 dhe të gjithë ata që kanë minimum shtatë nominime mund të kandidojnë për postin e kryetarit të FBK-së, në kuvendin e rregullt zgjedhor që do të mbahet të premten tjetër”, është shprehur sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku. “Tash për tash, vetëm Arben Fetahu ka dorëzuar nominimet dhe për momentin është kandidati i vetëm. Nëse nuk paraqitet edhe dikush tjetër, atëherë Fetahu do të jetë pa kundërkandidat në kuvend. Nuk është e domosdoshme që të ketë kundërkandidat”, është shprehur Dushku.

Në fillim të këtij muaji, Bordi i FBK-së ka marrë vendim që kuvendi i rregullt zgjedhor të mbahet më 18 dhjetor (15:00), në të cilin do të zgjidhen organet e reja drejtuese për ciklin katërvjeçar (2020-2024), në bazë të ciklit olimpik të Lojërave Olimpike Verore.