Giovanni Reyna ka realizuar ëndrrën e tij duke luajtur në Bundesligë dhe së fundi në Ligën e Kampionëve. Talenti amerikan, që iu bashkua Borussia Dortmundit nga New York City në vitin 2019, po shkëlqen me fanellën e ekipit gjerman dhe po vlerësohet ndër mesfushorët më të talentuar në Evropë.
Rrugën e Reynas 17-vjeçar po synon ta ndjekë një futbollist kosovar.
Dren Dobruna, që dikur ishte bashkëlojtar me Reynan te gjeneratat e reja të New York Cityt, është një ndër lojtarët më premtues në ekipin amerikan. 15-vjeçari, që luan në pozitën e mesfushorit të krahut të majtë, tash e pesë vjet është pjesë e klubit nga SHBA-ja.
Aktualisht, Dobruna është pjesë e grumposhës U15, ku edhe është një ndër lojtarët kryesorë të kësaj gjenerate. Së fundi, talenti i tij është prezantuar edhe në faqen e njohur të futbollit botëror “433”, ku videoja e Dobrunës duke bërë një veprim gjatë një ndeshjeje ka marrë mbi dy milionë shikime. Dobruna, që me prejardhje është nga Peja, për KOHËN ka treguar rrugën e tij sesi filloi të merret me futboll dhe synimet që i ka tek ekipi amerikan.
“Tash e disa vjet kam filluar të merrem me futboll. Jam pjesë e ekipit të New Yorkut, ku luaj te grumposhat e reja. Deri më tani kam treguar paraqitje të mira dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe në vazhdim. Jam duke punuar vazhdimisht që të përmirësohem edhe më shumë pasi synimet e mia janë të mëdha”, thotë Dobruna. Mesfushori kosovar, i lindur në SHBA, falë paraqitjeve të mira me ekipin U15, së fundi është ftuar për të qenë pjesë e ekipit U19 të New Yorkut. Dobruna pranon se ftesa për t’u aktivizuar me këtë gjeneratë dukshëm më të madhe është një sfidë për të që të zhvillohet edhe më shumë në aspektin profesional. Ai insiston se, përkundër moshës së re, synon të jetë pjesë e formacionit bazë të ekipit U19.
“Ka disa javë që po stërvitem me ekipin U19. E di se këtu është më vështirë pasi lojtarët e tjerë janë më të rritur dhe më të fortë fizikisht. Por, kjo do të më motivojë edhe më shumë për të punuar që të rritem profesionalisht. Do ta jap më të mirën nga vetja për t’i bindur të gjithë se dua dhe meritoj të jem pjesë e përbërjes së parë”, shtoi Dobruna.
Ai brenda disa vjetësh e sheh veten të luajë në ndonjë kampionat të fortë të Evropës, ngjashëm sikurse Reyna. Madje, ëndërron të bartë fanellën e ndonjë ekipi të njohur të këtij kontinenti.
“Shpresoj që një ditë të arrij të luaj në një kampionat të fortë në Evropë. E di që do të jetë e vështirë dhe duhet shumë punë, por kam besim në punën dhe aftësitë e mia. Së fundi, numri i madh i lojtarëve amerikanë të transferuar në Evropë, përfshirë edhe Reynan që e kam pasur bashkëlojtar, kanë shtuar mundësitë. Kështu që ëndrra ime është që një ditë të luaj në nivele të larta të futbollit evropian për një ekip të madh”, u shpreh Dobruna.
Ai vitin e shkuar ishte ftuar edhe nga Përfaqësuesja U15 e Kosovës dhe ishte pjesë e “Dardanëve” në një turne të mbajtur në Shqipëri, ku pati tri paraqitje. Dobruna shpreson që sërish të marrë ftesë nga Kosova, edhe pse ka lindur në SHBA.
“Vitin e kaluar kam qenë pjesë e Kosovës U15 në një kamp të organizuar në Shqipëri. Ishte ndjenjë shumë e mirë të luash për vendin tënd. Shpresoj që edhe në të ardhmen të ftohem nga Kosova, pasi është dëshira ime të luaj për të”, përfundoi Dobruna.