Sport

Drita synon të bëjë hap tutje në Champions

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, synon të bëjë një hap tutje në garën më elitare të Evropës, Ligën e Kampionëve.

Por, për ta bërë hapin e madh në Champions, Drita fillimisht duhet ta fitojë turneun preliminar për të nxjerrë biletën për raundet kualifikuese të kësaj gare.

Te Drita tashmë janë të vendosur për ta fituar turneun preliminar, që do të mbahet në Nyon të Zvicrës dhe nis të shtunën (sot).

Drita të premten paradite ka udhëtuar drejt Nyonit, kurse në mbrëmje ka mbajtur seancën e fundit para ndeshjes gjysmëfinale kundër kampionit të Andorrës, Inter d’Escaldes. Kjo ndeshje nis në orën 18:00 të shtunën dhe fituesi i saj do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër ndërmjet Linfieldit (Irlandë e Veriut) dhe Tre Fiori (San Marino) në finale.

Finalja do të zhvillohet më 11 gusht, po ashtu, në Nyon, kurse fituesi do të vazhdojë garat në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Për skuadrën e Dritës kjo është hera e dytë që paraqitet në Champions.

Në fakt, Drita para dy edicionesh e kishte fituar turneun preliminar të mbajtur në Gjibraltar përpara se të eliminohet në raundin e parë kualifikues nga skuadra elitare e Suedisë, Malmo.

Drita ka udhëtuar e kompletuar në Nyon pasi të enjten në orët e vona të mbrëmjes ka marrë rezultatet e testimeve të 32 anëtarëve të klubit për koronavirus, që dolën negative. Në të vërtetë, Dritës i është dashur t’i bëjë ritestimet për 17 anëtarë për t’u konfirmuar se nuk ka të prekur me COVID-19.