Sport

Drita beson se do ta fitojë rastin në CAS

Te kampionia e Kosovës në futboll, Drita, janë të bindur se padrejtësisht janë eliminuar nga turneu preliminar i Ligës së Kampionëve. Shkaku i rasteve me koronavirus, UEFA pati marrë vendim ta eliminojë Dritën, që ishte kualifikuar në finale të turneut të zhvilluar në Nyon të Zvicrës javë më parë. Me eliminimin nga parakualifikimet e “Championsit”, shkaku i rasteve me koronavirus, Drita tashmë është pajtuar dhe garën në Evropë do ta vazhdojë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Por skuadra nga Gjilani kërkon nga UEFA që t’u kompensohen koeficienti dhe mjetet financiare, e që klubeve të Kosovës u kryejnë goxha punë.

Për paraqitje në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, klubet i kanë të garantuara nga fondi i UEFA-s nga 230 mijë euro dhe në rast të kalimit në raundin e parë kualifikues të “Championsit” atëherë marrin edhe nga 280 mijë euro. Për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, ku Drita më 17 shtator do të paraqitet kundër Sileksit të Maqedonisë së Veriut në Shkup, i ka të garantuara 260 mijë euro.

Drejtori sportiv i Dritës, Valon Zymberi, është i bindur se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) do të vendosë në favor të tyre. CAS-it, Drita pritet t’i drejtohet brenda pak ditësh.

“Ne jemi optimistë se padrejtësia që na është bërë neve si klub, mendoj se kemi pasur arsye të kërkojmë të drejtën tonë. Flitet që Drita do të përfitojë financiarisht, por nuk është ashtu, kërkesa jonë është që të dalim faqebardhë për etiketimin që na është vënë, kurse çfarëdo që vjen tjetër është i mirëseardhur, por ne presim një vendim të CAS-it, që shpresojmë të jetë në dobinë tonë. Për këtë është angazhuar edhe avokati ynë, e që besoj se brenda pak ditësh do ta dërgojë lëndën në CAS”, tha Zymberi për KOHËN.

Avokat i Dritës për këtë çështje është Luca Tettamanti, që më herët për mediumet e huaja kishte deklaruar se ka bërë gati ankesën e Dritës në bazë të fakteve.